Një moment befasues dhe jo pak i sikletshëm është kapur nga kamerat në aeroportin e Hanoit, ku presidenti francez Emmanuel Macron duket se merr një shuplakë në fytyrë nga bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, teksa ata zbrisnin nga avioni presidencial.

Pamjet e publikuara nga agjencia Associated Press tregojnë çiftin presidencial duke dalë nga aeroplani, kur në një moment Brigitte, me një lëvizje të shpejtë, vendos duart në fytyrën e presidentit, në atë që duket si një “goditje e lehtë” – ndoshta pas një debati të vogël midis tyre.

Presidenti Macron shihet i habitur në sekondat pas incidentit, ndërsa kupton se dera e avionit ishte hapur dhe kamerat po regjistronin. Ai më pas përpiqet të rikthejë normalitetin, duke përshëndetur fotografët dhe duke shtrirë dorën drejt bashkëshortes së tij. Por Brigitte, në vend që të kapte dorën e tij, mbështetet tek parmakët e shkallëve të avionit – një veprim që ka ngjallur dyshime për tensione në çift.

Videoja është bërë virale në rrjetet sociale, duke u shpërndarë me shpejtësi dhe fillimisht është mohuar nga Pallati Élysée si “e manipuluar”. Por burime nga media franceze më pas konfirmuan se pamjet janë të vërteta.

Sipas një burimi anonim për televizionin BFMTV, çifti “ishte duke shkëmbyer batuta në mënyrë shaka para nisjes së turneut”. I njëjti burim e përshkroi incidentin si një “moment bashkëpunimi” që “nuk duhet interpretuar si konflikt”.

Emmanuel Macron ndodhet në Vietnam për fillimin e një turi njëjavor në Azinë Juglindore, ku pritet të vizitojë edhe Indonezinë dhe Singaporin.

Ky incident vjen në një periudhë kur presidenti francez është bërë shpesh objekt i teorive të konspiracionit dhe videove të falsifikuara. Së fundmi, ai ka mohuar një video të shpërndarë nga burime pro-ruse, që supozohej se tregonte një qese me substancë të bardhë pranë tij gjatë një udhëtimi drejt Kievit me liderët e Gjermanisë dhe Britanisë.

Presidenti Macron ka qenë gjithashtu në qendër të sulmeve mizogjene online që kanë përfshirë edhe gruan e tij, për të cilën janë përhapur gënjeshtra se është lindur mashkull – një pohim që ai e ka quajtur “i shpifur dhe thellësisht seksist”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu