
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani ka marrë pjesë në ceremoninë e 80-vjetorit të Çlirimit të kampit të përqendrimit Aushvic në Poloni.
Në këtë aktivitet, krerë delegacionesh nga e gjitha bota bënë homazhe për viktimat e horrorit të paimagjinueshëm nazist dhe dëgjuan gjithashtu dëshmitë rrëqethëse të disa prej të mbijetuarve të Holokaustit.
Ministri Igli Hasani u shpreh rreth krenarisë për Shqipërinë, e cila tregoi një solidaritet të pashembullt në mbrojtje të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Një krenari e veçantë për Shqipërinë, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore u shndërrua në një shembull të jashtëzakonshëm të mbrojtjes dhe solidaritetit ndaj hebrenjve, një trashëgimi që vazhdon të njihet dhe vlerësohet ndërkombëtarisht. Në fund të luftës, Shqipëria u bë strehë për rreth 2,000 hebrenj, duke u bërë i vetmi vend në Evropë me një popullsi hebreje më të madhe pas luftës se sa para saj.” – u shpreh ai.
View this post on Instagram
Në fund, ai nënvizon se “kjo trashëgimi vetëmohimi, gjatë një prej periudhave më të errëta të njerëzimit, do të na frymëzojë gjithmonë për të zgjedhur anën e duhur të historisë.”