
Pas mesnatës, Policia e Shtetit ka ndërhyrë në bulevardin përpara Kryeministrisë, ku vijon protesta e partisë së Adriatik Lapaj “Shqipëria Bëhet”, duke hequr tendën plastike që protestuesit përdornin si mbulim, me argumentin se nuk ishte marrë leje për vendosjen e saj.
Protestuesit nuk janë larguar nga zona dhe kanë vijuar qëndrimin e tyre në bulevard, ndërsa materiali plastik është sekuestruar dhe futur në furgonin e policisë.
Gjatë veprimit ka pasur debate verbale mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, pa përshkallëzim fizik të situatës.
View this post on Instagram
Në pamjet e regjistruara nga vendngjarja dhe të shpërndara nga partia e Lapajt, dëgjohet vetë ai, teksa reagon ashpër ndaj veprimit të policisë:
“E more armën e krimit!”
Më pas, kthehet në drejtim të zyrës së kryeministrit dhe bërtet:
“Edi Rama, o hajdut! Edi Rama, o hajdut!”
Protesta vijon edhe pas heqjes së tendës, ndërsa përfaqësuesit e nismës e kanë cilësuar veprimin e policisë si të pajustifikuar dhe të motivuar politikisht.
“Në 113 vjetorin e Policisë së Shtetit erdhën sërish për të zbatuar urdhrat e Edi Ramës, dhe sekuestruan 3 metra plastmas!” thuhet në qëndrimin e Shqipëria Bëhet.






