
Maria Cristina Medina ka lënë Zvicrën për të shpëtuar kafshët në nevojë në Shqipëri, duke e kthyer këtë në misionin e jetës së saj.
Rreth 19 vite më parë, përballë detyrimit për të marrë vetëm pesë kafshë me vete në kthimin për në vendlindje, ajo zgjodhi një rrugë krejt tjetër: të qëndronte në Tiranë dhe të hapte qendrën e parë për kafshët e braktisura.
Sot, qendra e saj është bërë një strehë e vërtetë për qindra kafshë të lënduara, të sëmura apo të abuzuara. Gjatë vizitës së TRT Balkan, Maria tregoi se ka marrë në trajtim edhe disa prej kafshëve që u dogjën gjatë fatkeqësive të verës në Gramsh dhe Delvinë.
“Jam nga Zvicra, vend i NATO-s, por jam rritur me ndjesinë e kujdesit. Erdha këtu në Shqipëri dhe nuk munda të largohem më. Ishte e pamundur të zgjidhja vetëm pesë kafshë për t’i marrë në shtëpi. Nuk mund të lija pas të tjerat, ndaj krijova qendrën time. Që nga 3 tetori i vitit 2006, jetoj këtu. Janë kaluar 19 vite të gjata, të vështira, por plot kuptim,” – rrëfen ajo me emocione.
Në fjalët e saj, dëgjohet përkushtimi i një jete të kaluar mes qenve, maceve, kalëve e zogjve të plagosur:
“Ne nuk marrim kafshë që janë mirë vetëm për t’i dhënë në adoptim. Kujdesemi për ato që kanë nevojë për ndihmë – për ata që kanë humbur një këmbë, që janë të paralizuar, që nuk shohin më. Ka qenë e vështirë, sidomos me kafshët e mëdha si kuajt, që nuk mund të ngriheshin për shkak të plagëve. Por ne nuk dorëzohemi.”
Maria jeton praktikisht brenda qendrës, bashkë me dhjetëra kafshë që e shohin si shpëtimtaren e tyre.
“Ky është shtëpia ime. Unë rrallë dal – vetëm për të blerë ushqim apo për të paguar veterinerët. Çdo ditë është luftë, por edhe dashuri. Shqipëria është bërë vendi im,” – thotë ajo.
Për shumëkënd, Maria është mishërimi i humanizmit që kapërcen kufijtë. Nga një vend i sigurt e i rregullt si Zvicra, ajo zgjodhi Shqipërinë – një vend ku, siç thotë vetë, “kafshët kanë më shumë nevojë për njerëz, dhe njerëzit mësojnë më shumë nga kafshët”.





