
Ndërsa mijëra njerëz u mblodhën në Stonehenge, në Angli, për të përjetuar solsticin e dimrit – fillimin zyrtar të stinës – një shok me gëzof vodhi vëmendjen.
Në një video që u bë virale, një mace e zezë e adhurueshme, me qafore, u pa e ulur mbi një nga gurët e mëdhenj të Stonehenge, duke vëzhguar turmat teksa festonin ditën më të shkurtër të vitit dhe sipas Daily Mail ky është një ogur i mirë.
Një përdoruese e Instagram-it, e cila foli për Storyful, tha se macja është një shpirt nomad me emrin Moon.
“Pronarët e saj thanë se ajo ka qenë gjithmonë në rrugë me ta, në furgonin e udhëtimit. Ajo ka epilepsi dhe një lob të trurit të pazhvilluar, ndaj nuk ka instinkt frike apo ikjeje, nuk trembet nga asgjë dhe e do jetën!” – tha ajo. “Ajo po e shijonte.”
Sipas Stonehenge, rreth 8,500 njerëz u mblodhën këtë vit në strukturën e lashtë për të festuar ditën më të shkurtër të vitit.
“Një falënderim i madh për të gjithë ata që na u bashkuan këtë mëngjes dhe për stafin tonë të mrekullueshëm, vullnetarët dhe partnerët. Ishte një festë e bukur dhe, pavarësisht të ftohtit, të gjithë shijuam një solstic dimëror të mrekullueshëm,” – thanë ata në një postim në Facebook.



