Kuvendi i Shqipërisë hapi sot seancën plenare me një moment simbolik, duke vënë në qendër të vëmendjes fëmijët dhe të drejtat e tyre, në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve që shënohet më 20 nëntor.

Kryetari i Kuvendit ftoi për disa çaste në drejtimin e seancës Sofinë, nxënëse e klasës së 9-të në shkollën publike “Naim Frashëri” në Tiranë, duke përcjellë një mesazh të fortë se vendimmarrjet politike ndikojnë drejtpërdrejt tek brezat e rinj.

Në fjalën e tij hapëse, Kryetari u shpreh:
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, sot do ta nisnim këtë seancë plenare në një mënyrë të pazakontë, por domethënëse. Një vajzë e re, nxënëse e shkëlqyer dhe përfaqësuese e brezit që po rritet, do të më bashkohet për disa çaste në drejtimin e kësaj seance, si një simbol i fuqishëm që na kujton se çdo vendim që marrim këtu ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e fëmijëve tanë.”

E emocionuar gjatë fjalës së saj para deputetëve, Sofi Xhafo theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Shqipëri:
Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të jenë të sigurt, të dëgjohen, të shkollohen, të luajnë dhe të rriten me dashuri. Ju lutem, mendoni për ne dhe për të ardhmen tonë, për ëndrrat tona dhe për çdo fëmijë që ka nevojë për ndihmë dhe mbrojtje.

Ajo njoftoi gjithashtu ngritjen e grupit vullnetar “Miqtë e Fëmijëve”, të përbërë nga 24 deputete të Kuvendit të Shqipërisë, i cili do të ketë në fokus mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve.

Në përmbyllje, Kryetari i Kuvendit theksoi se angazhimi për fëmijët mbetet një prioritet i pandryshueshëm, ndërsa momenti i sotëm shërben si kujtesë se zëri i fëmijëve duhet të dëgjohet dhe të ketë vend në çdo proces vendimmarrës.

Ky gjest i veçantë, i zhvilluar një ditë para 20 nëntorit, nënvizon domosdoshmërinë e forcimit të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Shqipëri dhe kudo.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu