Në vigjilje të Krishtlindjes 2025, Papa Leone XIV ka kremtuar për herë të parë si Papë Meshën e Natës së Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke përcjellë një mesazh të fortë paqeje për botën. Përpara nisjes së ceremonisë, Ati i Shenjtë u shfaq papritur në sheshin e Shën Pjetrit për të përshëndetur besimtarët që kishin mbetur jashtë për shkak të fluksit të madh, duke i falënderuar për durimin edhe nën shi. “Jezusi sjell paqen”, ishte thelbi i fjalës së tij.

Sipas njoftimit të Vatikanit, rreth 6 mijë besimtarë ndoqën meshën brenda Bazilikës së Shën Pjetrit, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë u mblodhën në shesh për të ndjekur kremtimet nga jashtë. Më 25 dhjetor, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës dhe më pas do të japë bekimin tradicional “Urbi et Orbi” .

Ndërkohë, edhe Betlehemi u mbush me mijëra njerëz në sheshin ku u rikthye atmosfera festive pas dy vitesh të shënuara nga lufta. Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jeruzalemit, hapi kremtimet me procesionin tradicional nga Jeruzalemi në Betlehem dhe bëri thirrje për “një Krishtlindje plot dritë”, duke theksuar nevojën për shpresë, rindërtim dhe paqe në Tokën e Shenjtë.

Kremtimet e Krishtlindjes 2025 shënohen edhe nga mbyllja graduale e Portave të Shenjta, në kuadër të përfundimit të Jubileut të Shpresës, duke i dhënë këtyre festave një domethënie të veçantë shpirtërore për miliona besimtarë në mbarë botën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu