Policia e burgut në Pococí, Kosta Rika, ka shpëtuar një mace që po përdorej për të futur lëndë narkotike brenda ambienteve të burgut.

Një oficer i sigurisë vuri re një kotele rreth 8-9 muajshe bardh e zi që po endej në një zonë të gjelbër brenda perimetrit të burgut. Pas kapjes, u zbulua se kafsha kishte të ngjitura në trup dy pako, të cilat përmbanin 235.65 gramë marihuanë dhe 67.76 gramë pastë crack-u.

Lëndët narkotike u sekuestruan menjëherë, ndërsa macja, e quajtur nga përdoruesit e rrjeteve sociale “Narcomichi”, iu dorëzua shërbimit veterinar të SENASA (Shërbimi Kombëtar i Shëndetit të Kafshëve).

Ndërkohë, një raport i fundit i publikuar në Costa Rica Star me titullin “Narco-Kittens: Kafshët shtëpiake në burgjet e Kosta Rikës”, thekson se të burgosurit përdorin kafshët si korrierë droge dhe lajmëtarë, ku më së shpeshti janë macet që lëvizin lirshëm duke mbartur marihuanë, cigare, para cash dhe mesazhe të shkruara me dorë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu