
Pamje të rralla kanë ardhur sot nga “Syri i Kaltër”, ku turistët u detyruan të largohen me nxitim pas urdhrit të evakuimit, ndërsa tymi dhe flakët po afroheshin gjithnjë e më shumë.
“Këtu nuk ka më njeri”, dëgjohet të thotë një vizitor i huaj teksa largohet i tronditur.
View this post on Instagram
Vendi, që zakonisht gumëzhin nga vizitorët, sot mbeti bosh. Zjarri, i cili prej ditësh ka qenë aktiv në zonën e Finiqit, ka avancuar deri pranë këtij monumenti natyre, duke vënë në rrezik serioz një nga atraksionet turistike më të vizituara të jugut.
Më shumë se 500 turistë janë evakuuar nga zona, ndërsa në vend ishin të parkuara rreth 100 automjete. Në terren po operojnë forcat zjarrfikëse të MZSH Finiq me 3 mjete dhe 12 efektivë, të mbështetur nga Forcat e Armatosura me 4 mjete, 30 efektivë dhe një grup të FNSH-së. Në operacion kanë ndërhyrë gjithashtu një helikopter i Forcës Ajrore, dy avionë PZL grekë, një helikopter çek dhe një sllovak.