Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur këtë të hënë në liqenin piktoresk të Komanit, ku turistët u surprizuan nga pamja e një kaprolli (Capreolus capreolus) që notonte qetësisht në ujërat e liqenit. Kjo skenë e rrallë u bë edhe më mbresëlënëse kur kaprolli u pa duke notuar paralelisht me tragetin turistik, duke krijuar një moment të paharrueshëm për vizitorët.

Kaprolli, një nga kafshët më të rëndësishme të faunës shqiptare dhe europiane, është një thundrak i vogël që zakonisht qëndron larg syrit të njeriut. Ai gjendet kryesisht në pyje, lëndina dhe zona kodrinore, dhe luan një rol kyç në ekosistem duke ndihmuar në kontrollin e bimësisë dhe në ruajtjen e ekuilibrit të zinxhirit ushqimor.

Megjithatë, kaprolli përballet me kërcënime serioze si shpyllëzimi, ndërtimet pa kriter, zjarret dhe gjuetia e paligjshme, të cilat po e vënë këtë specie gjithnjë e më shumë në rrezik. Në shumë zona të Ballkanit dhe edhe në Shqipëri, numri i tyre është në rënie, çka e bën vëzhgimin e tij në natyrë një privilegj të rrallë.

Banorët e zonës shprehen se gjatë katër viteve të fundit, kaprollët janë parë më shpesh në zonën e Komanit, veçanërisht gjatë kalimeve të tilla përmes liqenit. Kjo ngjarje e fundit është një dëshmi e gjallë e pasurisë natyrore të Shqipërisë dhe rëndësisë së ruajtjes së saj për brezat e ardhshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu