
Vullkani Etna ka hyrë në një fazë të re shpërthimi mëngjesin e sotëm, duke çliruar një re të dendur vullkanike që është ngritur në një lartësi prej të paktën 5 kilometrash mbi nivelin e detit.
Sipas Observatorit Etneo të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), fenomeni është shkaktuar nga rrëshqitja e materialit në anën veriore të kraterit juglindor, duke prodhuar një fluks piroklastik.
Pamjet e regjistruara nga sistemet e mbikëqyrjes kanë kapur momentin kur fluksi piroklastik u zhvillua, në orën 09:24. Ndërkohë, aktiviteti shpërthyes është intensifikuar, duke kaluar në një fontanë lavë, e shoqëruar me dridhje të forta vullkanike dhe valë infrasonike në zonën e kraterit juglindor. Megjithatë, sipas vlerësimeve fillestare, materiali nuk ka kaluar përtej buzës së Valle del Leone.
View this post on Instagram
Trafiku ajror vijon normalisht
Pavarësisht aktivitetit të fuqishëm vullkanik, trafiku ajror në Aeroportin e Katanias “Vincenzo Bellini” po vijon pa ndërprerje. INGV ka përditësuar nivelin e alarmit për aviacionin (VONA) në ngjyrë portokalli, duke nënvizuar se aktiviteti mbetet i kufizuar në zonën e majës së vullkanit.
Reagimet dhe masat e autoriteteve
Presidenti i Rajonit të Siçilisë, Renato Schifani, ka reaguar menjëherë:
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me Drejtorin e Mbrojtjes Civile, z. Cocina, i cili është në koordinim me prefekturën e Katanias dhe drejtuesit e INGV-së. Sipas vlerësimeve fillestare, nuk ka rrezik për popullsinë. Situata po monitorohet me kujdes të madh,” u shpreh Schifani.
Ai falënderoi gjithashtu strukturat e emergjencës për reagimin e menjëhershëm, duke theksuar se Rajoni i Siçilisë është i gatshëm të ndërhyjë me çdo mjet për mbrojtjen e qytetarëve dhe territorit.
Apel për kujdes
Kreu i Mbrojtjes Civile Rajonale, Salvo Cocina, u bën thirrje alpinistëve dhe turistëve që të shmangin zonën e majës së vullkanit deri në një njoftim të dytë, për shkak të mundësisë së përshkallëzimit të aktivitetit.