Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, u shfaq ndryshe në podcast-in përvëlues me moderatorin Rudi Hizmo, në një bisedë ku të ftuarit ballafaqohen me pyetje dhe ushqime gjithnjë e më të nxehta.

I cilësuar si Thomas Müller i politikës shqiptare nga gazetari, në një analogji me futbollin, natyrisht biseda nisi me misionin e vitit për Taulant Ballën, diasporën dhe votën e saj historike.

“Kush është roli im si drejtues i Partisë Socialiste që mbulon diasporën? Është pikërisht, në një farë mënyre, faza e parë: të reklamonim sa më shumë këtë moment, pra ta promovonim sa më shumë, sepse kishte shumë skepticizëm. T’ju them të drejtën, në shtator, shumë prej bashkatdhetarëve tanë thonin: ‘Eh, po do ta bëni si e keni bërë gjithmonë, se dhe kësaj radhe do dalë diçka, do dalë bufi në Tiranë e do na pengojë prapë.’ Edhe pati tentativa për ta penguar, por…”

Nuk munguan batutat me bufin më pikante se salcat që servireshin në tryezë.

Hizmo: Shumë jeni kapur me bufin. Balla: Është muhabet salce. Lëre të flejë, leri këta. Hizmo: Po dikush duhet të punojë edhe natën. Balla: Këta nuk i hyjnë në punë askujt.”
Balla tha se tashmë jemi në 100 metrat e fundit të rendjes drejt Europës, që nisi me thirrjet e emigrantëve të parë që u larguan nga vendi: “E duam Shqipërinë si gjithë Europën.Dhe 11 maji është si ai çelësi që do të zgjedhësh mes të mbyllësh këto 100 metra, pra ta shohësh Shqipërinë në Europë me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, apo të kthehesh prapë në gropën ku ishe në 2013 me bufin dhe me… Po, bufi erdhi në 92-shin dhe në 97 e zhyti Shqipërinë në një gropë të thellë të paimagjinueshme. Do të them që e la shumë herë më keq sesa ishte keq fare në 92. Dhe pastaj erdhi kjo partia që unë kam nderin ta përfaqësoj. Vuri shtetin, ngriti edhe një herë shtetin nga fillimi, bëri një punë të caktuar. Erdhi bufi prapë në 2005. Edhe diçka: duhet të dini një gjë se unë jam në një farë mënyre edhe një dëshmitar tanimë. Bufi asnjëherë nuk ka fituar në Shqipëri. Edhe në 2005, edhe në 2009, Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë më shumë vota se Partia Demokratike. Erdhi në 2005; në 2013 e la prapë në gropë.

Një gropë të paimagjinueshme: gropë borxhesh, rrugë të lëna rrugëve, kontrata të papaguara, ilaçe të papaguara, pensione të papaguara, madje skema e pensioneve në pikun e vet të falimentimit. Gropë, gropë. Dhe tani, më fal, e more një herë, e çove në gropë. E more dhe një herë tjetër, e çove në gropë. Tani e ka marrë dikush tjetër, Edi Rama dhe Partia Socialiste. Ta kanë trefishuar ekonominë, të kanë trefishuar pagat. Natyrshëm, të kanë bërë Shqipërinë një destinacion turistik të paimagjinueshëm 12 vite më parë. ”

Duke u ndalur te synimi i mandatit të katërt, Balla tha se: “Synimi është te pensionet dhe ky do të jetë mandat i dedikuar kësaj pjese, sepse këto të ardhura që po vijnë nga turizmi do të na japin më shumë mundësi që… synimi ynë është që të mos kemi më pensione nën 200 euro në Shqipëri. Pritet të shkojmë drejt një pensioni mesatar 400 euro, kështu që është diçka që është synimi ynë. Por tani bëj krahasimin.”

Duke folur për pritshmëritë e PS për 84 mandate, Balla bëri një ekspozé se çfarë pritet në secilin qark:

“Ne, me votat e diasporës, patjetër se janë shumë vota, kësaj radhe do të shtojmë pothuajse në çdo qark një deputet — 1 deputet mbi atë që kemi marrë në 2021. Se të pashë direkt, sa the kështu, mendja direkt te Vlora — ne luftojmë për deputetin e 9-të në Vlorë. Luftojmë për të 10-in, ose e kemi të sigurt të 10-in në Fier. Do të marrim 9 mandate në Elbasan, 20 mandate në Tiranë — mendimi im. Kemi qenë 18, do të marrim të paktën 3 mandate në Dibër, edhe pse me punën që po bëhet në Dibër mund të shkojmë edhe përtej kësaj. Do të marrim të paktën 4 mandate në Shkodër dhe po ashtu do marrim 4 mandate në Lezhë. Llogaritë bëji vetë sa shkojnë.”

Përtej batutave, Balla u ndal dhe te pasaporta europiane dhe çfarë fitojnë shqiptarët nga një mandat i katërt socialist.

“Sa herë të ka rënë ty që kur udhëton për të shkuar në një vend dhe kur zbret atje në Itali të thonë (Albanezi voi qua) edhe ti dil shpejt në radhë? Ne kemi gjithë mundësinë që kësaj historie t’i japim fund.Pra është një moment që… pra të kuptojmë që qeveria ka bërë një punë të shkëlqyer vitet e fundit për sa i përket reformave, por mos harrojmë edhe kontekstin gjeopolitik të momentit, dhe ne duhet të kuptojmë që për ne shqiptarët është hapur një dritare — e cila na thonë “vraponi, se nuk do jetë e hapur për një kohë të gjatë, mund të mbyllet dhe nuk dihet kur hapet më. Dhe prandaj vota tek 5 kësaj radhe nuk duhet të jetë një votë “hajde se plotësojmë numrat”, se numrat janë — duhet një votë për t’i dhënë PS-së një mandat të katërt shumë më të fortë se tre mandatet e tjera.”

Duke cituar rrëfimin biblik për gruan që shkeli kurorën dhe shprehjen e famshme “Kush është pa mëkat, le të hedhë gurin e parë”, Balla u ndal te konteksti i diskursit politik sot në Shqipëri, duke aluduar te partitë e vogla që bëjnë fushatë duke thënë se “të gjithë këta janë të korruptuar.”

“Jo, ne nuk jemi të gjithë njëlloj, si jemi të gjithë njëlloj? Unë nuk jam njëlloj me Sali Berishën, as kam vrarë të mbaj pushtetin, as kam vjedhur prona publike dhe as kam vjedhur zgjedhje, asnjë nga këto. Ky njeriu i cili ka 34 vite aktive në politikë, se tani kemi marrë vesh që ka qenë edhe kandidat për ministër i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Kupton ti, jo, s’janë thashetheme se kanë dalë letra se unë s’jam marrë kurrë me thashetheme — me thashetheme merret kush merret. Të hipje në varkën e Enver Hoxhës apo të shkoje në familjen e Enver Hoxhës nuk shkonin dot të gjithë.”

Pjesa e fundit e podcast-it u ndal te futbolli, por pa u shkëputur nga politika, ku moderatori testoi njohuritë sportive të ministrit Balla.

Hizmo: A është PS Real Madridi i politikës shqiptare? Balla: PS është Real Madridi; në Spanjë, është Bayerni, në Gjermani. Hizmo: Nëse do hapej VAR-i? Balla: PS i ka fituar të gjitha përballjet me kundërshtarin. Hizmo: Vetë luan futboll? Balla: Tani luaj? Kjo është fjalë e madhe. Hizmo: Varet me kë luan. Balla: Shiko, e rëndësishme është të luaj me qejf. Hizmo: Çfarë pozicioni? Balla: Sulmues. Hizmo: Shënon? Balla: Tani po na erdhi ndonjë pas i mirë edhe…”

Podcast-i, ndër batuta të tjera, u mbyll me një histori interesante kur fituesi i bujshëm i “Big Brother”, Luiz Ejlli, ndalohet nga Policia dhe i telefonon Taulant Ballës, asokohe Ministër i Brendshëm.

“Meqë ma the këtë, më merr Luiz Ejlli, kur isha Ministër i Brendshëm, dhe thotë: Ministër, si je? Dëgjo, tha, se më kanë ndaluar këtu Policia Rrugore. Dhe thashë ca problemi ka? I thashë: ma jep pak punonjësin e Policisë. Vëri gjobën më të madhe, sipas asaj që parashikon ligji. Kështu që s’të del mirë.”
Balla i kaloi sfidat e intervistës me pyetje nga politika dhe pasioni tjetër i tij jashtë Kuvendit dhe Qeverisë, futbolli. Sfida më e fortë ishte ajo gastronomike me krahë pule dhe salcat djegëse, shijimin e të cilave e nisi natyrisht nga salca numër 5 në tavolinë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu