Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ka përcjellë një mesazh të rëndësishëm për shqiptarët, duke theksuar se një mandat i katërt i Partisë Socialiste deri në vitin 2030 do t’u sigurojë të gjithë shqiptarëve “Pasaportën Europiane”.

Përmes një videomesazhi Balla sjell në vëmendje përvojën e emigrantëve shqiptarë ndër vite, të cilët pavarësisht lirisë së lëvizjes pa viza, ende përballen me radhë të gjata dhe kontrolle të rrepta në kufijtë e BE-së. Ai theksoi se pasaporta europiane do t’i japë fund kësaj situate dhe do t’i vendosë shqiptarët në të njëjtën pozitë me qytetarët e vendeve të tjera të BE-së.

“Sa herë zbresim prej tridhjetë e pesë vjetësh në një aeroport në Itali, Gjermani, Greqi apo kudo tjetër në BE, na tregojnë me gisht një korridor, ku duhet të shkojmë të futemi në radhë. Ndërkohë, europianët kalojnë në korridorin e tyre, pa radhë, dhe dalin matanë sa hap e mbyll sytë. Ne vërtet s’kemi viza për të lëvizur në Europë, po ama s’kemi as të drejtë për të qëndruar në një vend të Bashkimit Europian përtej 90 ditëve. Prandaj, kur arrijmë në kufijtë e BE-së, na fusin në radhë dhe na marrin në pyetje me policë, të cilët, teksa na e kthejnë mbarë e mbrapsht pasaportën, pyesin ku po shkon, sa të holla ke me vete, me kë je shoqëruar, kush të ka ftuar, kur do ikësh që këtu, e me radhë,” deklaron Balla.
Por çfarë do të sjellë pasaporta europiane për shqiptarët sipas Ballës? Pasaportizimi europian i Shqipërisë do të thotë:
– Lëvizje e lirë pa kufizime –Shqiptarët nuk do të kenë më nevojë të japin llogari për qëllimin e udhëtimit dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në BE.
– E drejta për të jetuar dhe punuar në BE – Çdo shqiptar do të mund të punojë pa leje pune në çdo shtet të BE-së, duke përfituar nga të njëjtat të drejta si qytetarët vendas.
– Mundësi të barabarta për studentët – Studentët shqiptarë do të studiojnë në universitetet europiane me tarifa të njëjta si bashkëmoshatarët e tyre europianë.
– Siguri më e lartë ligjore – Shqiptarët do të gëzojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre në çdo institucion dhe gjykatë të BE-së.
– Përfitime më të mëdha sociale dhe shëndetësore – Do të mund të marrin shërbime sociale dhe shëndetësore njësoj si qytetarët e vendeve të tjera të BE-së.

Balla theksoi se zgjedhjet e 11 Majit janë vendimtare për këtë projekt ambicioz dhe u bëri thirrje shqiptarëve të mbështesin Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për një mandat të katërt edhe më të fortë. Sipas tij, vetëm kjo mazhorancë mund të bëjë realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve brenda kësaj dekade.

“Ne mund ta mbyllim përfundimisht këtë histori poshtëruese dhe të mos na ndajë më askush nga tufa e bashkudhëtarëve tanë europianë. Të mos hyjmë më në radhë. Të mos i japim më llogari një polici në aeroport se përse po hyjmë në një vend të BE-së dhe se sa do rrimë. Ne mund t’i sigurojmë çdo shqiptari e shqiptareje Pasaportën Europiane të Shqipërisë 2030. Ne i kthyem Shqipërisë dhe shqiptarëve krenarinë në përfaqësimin tonë ndërkombëtar, duke bërë të harrohet koha kur kryeministrit të asaj kohe, qesharak nuk i hapej dera asgjëkundi.”

Ai ftoi zgjedhësit të votojnë numrin 5, Partinë Socialiste në fletën e votimit.
“Prandaj, kush e do pasaportën e BE-së duhet të votojë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, numrin 5, sepse askush tjetër nuk i pajis dot shqiptarët me pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade deri në 2030-ën. Me pasaportën e BE-së, çdo shqiptar e shqiptare do të fitojë të drejtën të votojë dhe të kandidojë në zgjedhjet lokale kudo ku jeton brenda BE-së dhe për Parlamentin Europian gjithashtu, ndërkohë që edhe Shqipëria do të jetë pjesë e zgjedhjeve europiane dhe do të ketë përfaqësuesin e saj në qeverinë e BE-së, Komisionin Europian, si edhe plot djem e vajza në administratën e Brukselit. Me pasaportën e BE-së, Shqipëria bëhet e madhe sa Europa dhe Europa bëhet e vogël sa Shqipëria. Prandaj më 11 maj votoni për pasaportën e Bashkimit Europian! Votoni Partia Socialiste, Edi Rama, numri 5 në fletën e votimit,” përfundoi Balla mesazhin e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu