
Talenti i ri Angus Dei po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e publikut dhe jurisë (jo tallava) në edicionin e 25-të të Kënga Magjike, duke kaluar me sukses fazën e parë përzgjedhëse me këngën “1000 Vjet”.
Performanca e saj është pritur mjaft mirë, duke e renditur mes emrave më premtues të kategorisë New Artist.
Kënga “1000 Vjet” mban vulën e kantautorit të njohur Erjon Zaloshnja, i cili ka krijuar këtë projekt me shumë dashuri dhe ndjeshmëri artistike, prodhuar në The Superstudios.
Në një postim në rrjetet sociale, Zaloshnja ka ndarë emocionet e tij për këtë bashkëpunim:
“Të dashur miq e vëllezër! Kam shkruar këtë këngë me shumë dashuri për njeriun e zemrës, pjesëmarrëse në Kënga Magjike 2025, një këngëtare që do t’ja ndjeni zërin në vazhdim. ❤️ Angus Dei, you are a star! 🌟 Pas kaq kohësh largimi nga muzika, rikthehem për të mos ndalur më, dhe ju premtoj që arti im kurrë nuk do të ketë kompromis.”
Artisti e përshkruan “1000 Vjet” si një këngë me shpirt, që synon të prekë publikun dhe të mbetet gjatë në kujtesën e muzikës shqiptare.
Nga ana tjetër, Angus Dei po spikat me një stil origjinal dhe interpretim të fuqishëm, duke sjellë në skenë një energji të veçantë që po e bën të dallojë mes artistëve të rinj.
“Është koha për bukuri shpirtërore,” – thekson Zaloshnja, duke ftuar publikun të mbështesë projektin me hashtagun #BeMagic.
Me këtë performancë të suksesshme, Angus Dei vijon rrugëtimin e saj në Kënga Magjike 2025, duke u bërë një nga zërat që pritet të lërë gjurmë në skenën shqiptare.







