Këngëtari shkodran Alis është shpallur fitues i Festivali i Këngës 64, duke rrëmbyer çmimin e parë me këngën “Nân”, një performancë që fitoi njëkohësisht zemrat e publikut dhe vlerësimin maksimal të jurisë.

Kjo fitore i siguron Alis-it të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2026, që do të zhvillohet në Vjenë, Austri, në një nga eventet muzikore më të ndjekura në Evropë.

Interpretimi i këngëtarit u veçua për potencën vokale, interpretimin emocional dhe mesazhin universal për dashurinë, duke e bërë këngën “Nân” një nga momentet më të forta artistike të finales së madhe. Ovacionet dhe duartrokitjet e gjata shoqëruan fundin e interpretimit, duke konfirmuar lidhjen e fortë të këngës me publikun.

Çmimi i parë iu dorëzua Alis nga kryetari i jurisë së Festivalit, Ramë Lahaj. Në total, Alis grumbulloi 152 pikë, nga kombinimi i votave të publikut dhe pikëve të jurisë.

Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me 102 pikë, ndërsa Sheila u pozicionua në vendin e tretë me 93 pikë. Sipas renditjes së jurisë profesionale, Alis u vlerësua i pari, i ndjekur nga Sheila dhe Vedat Ademi.

Formula e votimit, ishte e bazuar në 50% vota të jurisë dhe 50% vota të publikut.

Momenti i marrjes së kupës ishte tejet emocional për Alis-in, i cili u përlot në skenë, puthi trofeun dhe, si dhuratë për publikun, interpretoi edhe një herë këngën fituese, duke mbyllur Festivalin e 64-t të Këngës me një atmosferë të fortë emocionale.

Fitorja e Alis konfirmon edhe një herë rolin e Festivalit të Këngës si gara më prestigjioze muzikore në vend dhe si porta kryesore që çon talentet shqiptare drejt skenës më të madhe evropiane.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu