
Mbrëmjen e 22 tetorit, skena e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u mbush me emocione dhe ritme andaluziane gjatë shfaqjes “Alegorías”, një interpretim që bashkoi fuqinë e flamencos me elegancën e vallëzimit bashkëkohor.
Dy artiste me balerina të jashtëzakonshëm, Paula Comitre dhe Julia Cambra, inskenuan një udhëtim artistik përmes trupit dhe muzikës, duke e kthyer skenën në një hapësirë ku ndjenja dhe lëvizja takohen në harmoni të përsosur. Comitre, një nga figurat më të spikatura të flamencos së brezit të saj, ndezi atmosferën me energjinë, pasionin dhe finesën që e karakterizon, ndërsa Cambra solli thellësinë dhe lirshmërinë e vallëzimit bashkëkohor.
Nën tingujt dhe zërin e Perrate, pasardhës i një prej dinastive më të mëdha rome të këngës flamenco, familjes “Perrate” nga Utrera, shfaqja nga Spanja në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në Tiranë, ndërthurte elemente të flamencos tradicionale, muzikës bashkëkohore dhe kërcimit modern, duke krijuar një kontrast të pasur artistik që u prit me duartrokitje të gjata nga publiku kryeqytetas.
View this post on Instagram
“Ne reflektojmë dhe eksplorojmë kufijtë,” deklaruan krijuesit. “Prandaj bashkojmë vallëzimin bashkëkohor me flamenco-n, muzikën tradicionale me atë moderne – sepse në kontrast lind harmonia.”
Në përfundim të shfaqjes, Paula Comitre falënderoi publikun për mikpritjen dhe emocionin që solli në sallë:
“Flamenco është një trashëgimi e gjallë e njerëzimit. Është e pasur, e larmishme dhe gjithmonë gjen mënyra për të bashkëjetuar me artet e tjera pa humbur shpirtin e saj.”
“Alegorías” u konsiderua si një nga pikat kulmore të International Dance Festival of Tirana, duke dëshmuar se arti, në çdo formë të tij, mund të kapërcejë kufijtë dhe të flasë gjuhën universale të emocioneve.