Një emigrant maroken 42-vjeçar, i cili qëndronte në kampin e Gjadrit në Lezhë, i dha fund jetës së tij pas më shumë se një muaji qëndrimi në këtë strukturë. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat dhe aktivistët për të drejtat e refugjatëve, të cilët denoncojnë kushtet e çnjerëzore në kamp dhe kërkojnë një hetim të pavarur për rastin.

 

Aktivistë shqiptarë dhe të huaj u mblodhën përpara ambienteve të kampit, ku zhvilluan homazhe për të ndjerin dhe një protestë simbolike. Ata kërkuan hetim të pavarur për rastin e 42-vjeçarit dhe denoncuan raste të tjera incidentesh që po ndodhin çdo ditë brenda kësaj strukture.

 

Ngjarja ka risjellë në vëmendje shqetësimet e shprehura më herët nga organizatat ndërkombëtare mbi menaxhimin e refugjatëve në Shqipëri. Kampi i Gjadrit, i ndërtuar në ish-zonën ushtarake, është konceptuar për të strehuar përkohësisht azilkërkuesit e shpëtuar në det nga anijet italiane. Megjithatë, me dekretin e ri të qeverisë italiane, kampi shërben edhe si qendër ndalimi për emigrantët që nuk kanë më të drejtë azili dhe pritet të deportohen në vendet e tyre të origjinës.

 

Sipas burimeve, emigrantët që mbërritën në Shëngjin me anije më 8 prill janë kontingjent kriminal, ndaj iu është refuzuar azili në Itali. Bëhet fjalë për persona të akuzuar ose të dënuar për krime të ndryshme. Ata do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit derisa të deportohen në vendet e tyre të origjinës, me një afat maksimal qëndrimi deri në 18 muaj.

 

Aktivistët dhe organizatat për të drejtat e njeriut kërkojnë që autoritetet shqiptare dhe italiane të marrin masa për të përmirësuar kushtet në kamp dhe të sigurojnë trajtim dinjitoz për të gjithë emigrantët. Ata theksojnë se ngjarje të tilla tragjike nuk duhet të përsëriten dhe se është e nevojshme një vëmendje më e madhe ndaj situatës së refugjatëve në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu