
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën si kandidat për President të Kosovës, në një moment vendimtar për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Në një njoftim zyrtar, Vetëvendosje bëri të ditur se, pas përpjekjeve për të arritur një marrëveshje politike, ka vendosur të propozojë për president ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin e disa legjislaturave, Glauk Konjufca.
Sipas deklaratës, Konjufca është gjithashtu një nga politikanët më të votuar në historinë e Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën kohë, Vetëvendosje u bëri thirrje edhe partive opozitare që të propozojnë kandidatin e tyre për këtë post.
“Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese, ne mund të ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar”, thuhet në deklaratë.
Partia në pushtet shprehet se është e bindur se situata mund të zgjidhet pa e çuar vendin në zgjedhje të reja.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur në një konferencë për media se deri më tani është pranuar vetëm një kandidaturë për postin e Presidentit të Kosovës.
Sipas saj, kandidatura e vetme e dorëzuar është ajo e Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Haxhiu theksoi se, në përputhje me procedurat dhe rregulloren përkatëse, për të thirrur seancën për zgjedhjen e presidentit nevojiten së paku dy kandidatë të propozuar.
“Deri sa i kemi dy kandidatë, nuk mund ta thërrasim seancën për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi ajo.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 5 mars, dhe nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë kreun e shtetit brenda afateve kushtetuese, Kosova rrezikon të përballet me një krizë të re politike.






