Policia e Tiranës ka zbardhur plagosjen me armë zjarri të një 18-vjeçareje pak pas mesnatës së kësaj të shtune, 14 shkurt, në një hotel në zonën e Saukut, në kryeqytet.  E reja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim tre të tjerë.

Sipas të dhënave zyrtare, më 14 shkurt 2026, rreth orës 00:15, në spital është paraqitur e plagosur shtetasja me iniciale N. K., 18 vjeçe. Nga veprimet e shpejta hetimore dhe këqyrja e kamerave të sigurisë rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në zonën e Saukut, ku e reja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.

E dëmtuara është transportuar drejt spitalit nga një 48-vjeçare dhe një 24-vjeçar.

Në vijim të veprimeve procedurale, policia arrestoi në flagrancë një 46-vjeçar dhe një 48-vjeçare, të dyshuar për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim një 49-vjeçar dhe një 24-vjeçar për të njëjtat vepra penale, si edhe një 22-vjeçar i dyshuar për “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas hetimeve paraprake, këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Policia vijon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur, si edhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu