
Një dëshmitar shqiptar ka rrëfyer momentet dramatike të tragjedisë në Zvicër, ku një autobus i transportit publik u përfshi nga flakët, duke lënë pas gjashtë viktima dhe pesë të plagosur.
67-vjeçari me origjinë shqiptare, Osman Ismaili, i cili jeton prej 35 vitesh në Kerzers të kantonit Fribourg, tregoi për mediat zvicerane se gjithçka ndodhi brenda pak minutash dhe se ai doli nga shtëpia për të ndihmuar sapo pa flakët.
“Vetëm flakë kishte kudo. Vetëm bërtita se kishte zjarr dhe dola jashtë pa këpucë”, tregoi Ismaili, apartamenti i të cilit ndodhet pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Sipas tij, në momentin kur shpërtheu zjarri ai ishte duke darkuar me familjen, kur nga dritarja pa autobusin të përfshirë nga flakët.
Dëshmitari përshkroi skena dramatike në vendngjarje. Ai tregoi se pa një person që theu dritaren e autobusit me një gur për të ndihmuar pasagjerët të dilnin.
“Pashë një burrë që mori një gur dhe theu një dritare. Pak më vonë një person arriti të lirohej nga autobusi. Familja e tij kishte të afërm brenda autobusit. Nuk e dimë ende çfarë ndodhi me ta”, tha ai me lot në sy.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në qendër të Kerzers. Sipas mediave vendase, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar pasi një person hodhi një shishe me benzinë në autobus, duke u djegur edhe vetë.
Megjithatë autoritetet zvicerane nuk kanë dhënë ende një version zyrtar për shkaqet e tragjedisë dhe hetimet për ngjarjen vijojnë.



