Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka dalë para trupit gjykues në Hagë, ku ka shprehur besimin se e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë, pavarësisht zgjatjes së procesit gjyqësor.

Në deklaratën e tij, Veseli theksoi se është i bindur për integritetin e veprimeve të tij dhe se gjithçka që ka bërë ka qenë në përputhje me ligjin.

“Unë e di kush jam, çfarë kam bërë e çfarë nuk kam bërë. Veprimet e mia kanë qenë ligjore”, u shpreh ai para gjykatës, duke shtuar se institucioni duhet të garantojë parimet themelore të drejtësisë dhe paanësisë.

 

Veseli nënvizoi gjithashtu se, edhe pse drejtësia mund të marrë kohë, ajo nuk mund të mohohet.

“Drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet. Edhe në momentet më të errëta nuk e humba besimin se e vërteta do të triumfojë”, deklaroi ish-kreu i Kuvendit të Kosovës.

Fjala e Veselit vjen në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu