Vera më e vjetër në botë është gjetur në Carmona të Spanjës. Ishte ende në gjendje të lëngshme edhe pas më shumë se 2000 vjetësh. Ajo u gjet brenda një urne funeralesh së bashku me një unazë ari dhe mbetjet e djegura të një romaku të lashtë të varrosur në nekropolin e qytetit me 5 anëtarë të tjerë të familjes, duke përfshirë 2 gra dhe 3 burra.

Studimi mbi zbulimin është publikuar në “Journal of Archaeological Science Reports” nga studiues të Universitetit të Kordobës. “Në fillim u habitëm shumë që lëngu ishte ruajtur në një nga urnat” – shpjegoi Juan Manuel Román, një arkeolog nga qyteti i Carmona. Për të konstatuar se ai lëng i kuqërremtë ishte vërtet verë, dhe jo rezultat i lëngjeve apo proceseve të kondensimit, studiuesit kryen një sërë analizash kimike për të përcaktuar pH-në e tij, praninë e lëndës organike, kripërave minerale dhe substancave që rrjedhin nga mbetjet e të ndjerit ose nga vetë urna e qelqit. Rezultatet treguan se lëngu është verë, që përmbante 7 polifenole të veçanta që janë gjithashtu të pranishme në verërat moderne të Andaluzisë.

yacht hotel sarande

Mungesa e një polifenoli të quajtur acid siringik lë të kuptohet se kemi të bëjmë me një verë e bardhë, e cila me kalimin e kohës ka marrë një ngjyrë të kuqërremtë. Mbetet e vështirë për të përcaktuar origjinën e saj gjeografike, edhe nëse brenda saj janë identifikuar kripëra minerale, të pranishme edhe në verërat e bardha që prodhohen aktualisht në territoret që dikur i përkisnin provincës së lashtë romake të quajtur Betica. Vera e gjetur daton shekullin e parë të erës sonë, prandaj është konsideruar në të gjitha aspektet si vera më e vjetër në botë duke thyer rekordin e mbajtur nga shishja e verës nga Speyer e zbuluar në vitin 1867 në Gjermani dhe që daton në shekullin e 4-t pas Krishtit. /LAPSI.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu