Tiranë, 26 gusht 2025 – Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) pranë AKMC ka raportuar se nga ora 09:00 deri në 19:30 të ditës së sotme janë evidentuar gjithsej 12 vatra zjarri në vend. Nga këto, 8 janë shuar, 4 vijojnë aktive, ndërsa 1 vatër mbetet në monitorim.

Një nga situatat më problematike vijon të jetë në Delisuf, njësia administrative Novoselë, bashkia Vlorë, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe pyjore me pisha e bimësi të përzier, duke depërtuar në zonën e Pishë-Poros. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave tokësore dhe ajrore, përfshirë edhe 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore, zjarri mbetet aktiv dhe ka zgjeruar perimetrin gjatë natës. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, policë dhe punonjës bashkiakë.

Bogovë, Skrapar, një vatër e nisur në një hangar është përhapur në një sipërfaqe pyjore me pisha duke përfshirë rreth 18 hektarë. Sot, falë ndërhyrjes së 7 automjeteve zjarrfikëse, forcave të ushtrisë, shërbimit pyjor dhe bashkisë, situata është nën kontroll, me vetëm dy vatra të vogla të mbetura brenda zonës së djegur. Nuk raportohet rrezik për banesat.

Parkun Natyror Gërmenj, Kolonjë, zjarri u riaktivizua pranë kufirit me Greqinë, por situata është normalizuar pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse. Ndërsa në Pezë Helmës, Tiranë, vijojnë të jenë aktive disa vatra në terren të vështirë dhe me bimësi të dendur. Zjarrfikësit ndodhen në gatishmëri të vazhdueshme pranë zonës së banuar.

Ndërkohë, është bërë i mundur shuarja e vatrave në Vrepckë (Kolonjë), Farkë (Tiranë), Stajke (Vau-Dejës), Shtoi i Ri (Shkodër), Peshtan i Madh (Fier), Shënkoll (Lezhë), Shumbat dhe Portgorcë (Dibër).

Autoritetet e Emergjencave Civile theksojnë se të gjitha forcat janë në gatishmëri për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu