Vepra artistike “Dielli i ditës tjetër” e artistes Blerta Kambo, e cila ndërthur trashëgiminë kulturore me ndërgjegjësimin shëndetësor, do të ekspozohet në mënyrë të përhershme në pjesën lindore të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).

Lajmi është bërë i ditur nga vetë AQSHF, i cili thekson se mozaiku, i njohur edhe si “Shqipja”, i rikrijuar nga Blerta Kambo dhe i mbështetur nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës, tashmë bëhet pjesë e kujtesës arkivale shqiptare.

“Një mozaik që nuk rri në mur, por të rri përballë. Të shikon drejt e në sy dhe të pyet gjëra që i ke shmangur gjithë ditën. Copëza të vogla, të thyera, që kur bashkohen bëhen figurë dhe kujtesë”, thuhet në njoftimin e AQSHF, duke e cilësuar veprën si një reflektim mbi dhimbjen, artin, kohën, gruan dhe forcën njerëzore për t’u rindërtuar.

Instalacioni “Dielli i ditës tjetër” u bë i njohur në nëntor të vitit të kaluar, kur fasada e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u transformua përkohësisht përmes kësaj vepre që ndërthur historinë me artin bashkëkohor.

Artistja Blerta Kambo zgjodhi të ndërhyjë mbi figurën kryesore femërore të mozaikut monumental “Shqipëria”, duke e rikontekstualizuar atë si një gjest simbolik solidariteti me gratë që përballen me kancerin e gjirit. Në këtë vepër, figura rishfaqet me kokë të qethur dhe me një shenjë në gjoksin e djathtë, si shenjë e plagës, por edhe e rezistencës dhe shpresës.

Ky transformim e zhvendos heroinën mitike drejt figurës së gruas reale bashkëkohore – të ndjeshme, të plagosur, por të fortë dhe në ecje përpara. Një vepër që flet për jetën, forcën, rilindjen dhe ndërgjegjësimin kolektiv.

Instalacioni ishte një kushtim simbolik për 1 në 12 gra që diagnostikohen me kancer të gjirit, duke shërbyer si thirrje për ndërgjegjësim, solidaritet dhe shpresë. Tashmë, “Dielli i ditës tjetër” do të jetojë si pjesë e përhershme e hapësirës muzeale dhe arkivore të AQSHF.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu