
Vendosi lëndë eksplozive para banesës së tij me qëllim përfitimin e azilit, policia brenda pak orësh, zbardhi ngjarjen dhe vuri në pranga autorin.
Në pranga dhe nipi që ndihmoi 43-vjeçarin, për të inskenuar ngjarjen.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në mesnatë, në lagjen “Partizani”, organizuan punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Inskenimi”., u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.
Po në vijim të operacionit u bë arrestimi për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i shtetasve A. P., 43 vjeç, i zoti i banesës ku shpërtheu lënda plasëse dhe E. T., 18 vjeç, nipi i tij.
Shtetasi A. P., dyshohet se ka vendosur lëndë eksplozive para banesës së tij në bashkëpunim me nipin, shtetasin E. T., me qëllim përfitimin e azilit në një nga vendet e BE-së. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.