
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin e ndodhur në kanalin Ibër–Lepenc në nëntor të vitit 2024. Të pandehurit akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë rrezikimin e rendit kushtetues, terrorizmin, armëmbajtjen pa leje dhe spiunazhin.
Sipas njoftimit zyrtar, aktakuza është rezultat i një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit, si dhe me partnerë evropianë. Prokuroria bën me dije se të dyshuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë vendosur eksploziv në brendësi të kanalit.
Në aktakuzë thuhet se ndaj J.V., D.V. dhe I.D. janë ngritur akuza për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa J.V. akuzohet edhe për “Spiunazh”.
Sipas hetimeve, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, J.V. dhe D.V., së bashku me persona të tjerë, pas një marrëveshjeje paraprake kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv TNT në brendësi të kanalit Ibër–Lepenc. Lënda plasëse është aktivizuar përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni.
Si pasojë e shpërthimit, është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, si dhe ndërmarrjes publike “Ibër Lepenc” i është shkaktuar një dëm financiar prej 376,774.70 eurosh.
Dy prej të pandehurve, J.V. dhe D.V., akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, së bashku me I.D. Ndërkohë, Prokuroria bën të ditur se J.V., deri në momentin e arrestimit, ka vepruar si i rekrutuar nga Shërbimi Informativ Ushtarak i Serbisë, duke mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente të klasifikuara për qëllime të aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.
Hetimet për këtë rast vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë akt të rëndë kriminal.






