Qeveria zhvilloi këtë të mërkurë mbledhjen e radhës, ku u diskutuan dhe u prezantuan disa vendime që lidhen me projekte infrastrukturore, tregun e karburanteve dhe rregullimin e basteve sportive.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, foli për anulimin e tenderit për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, pasi ofertuesi i vetëm në garë është tërhequr.

Sipas tij, arsyeja e tërheqjes lidhet me faktorë ekonomikë dhe rritjen e kostove për shkak të krizës ndërkombëtare.

“Po, kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm, me një arsye krejtësisht ekonomike, duke qenë se për shkak të rritjes së kostove dhe efekteve të krizës kontraktori ka bërë një tërheqje. Komisioni do të vijojë me procedurën”, u shpreh Karakaçi.

Ministri shtoi se projekti për portin e ri do të vijojë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se ka aktorë që po përpiqen ta frenojnë dhe ta sabotojnë këtë projekt.

Ndërkohë, gjatë prezantimit të vendimeve, Karakaçi njoftoi edhe disa nisma të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Një prej tyre është projekti për sistemin e kanalizimeve në Durrës, Spitallë, Shkozet dhe Porto Romano, me një vlerë rreth 67 milionë euro, që synon trajtimin e ujërave të ndotura dhe të ujërave të shiut përmes një impianti të posaçëm.

Po ashtu u bë e ditur se për projektin e hekurudhës Tiranë–Durrës do të merren rreth 11.7 milionë euro kredi nga Banka Gjermane e Zhvillimit, me qëllim elektrifikimin e linjës dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme.

Qeveria miratoi gjithashtu edhe dy vendime për shpronësime, një në hyrje të qytetit të Shkodrës dhe një shtesë për nyjen e Milotit.

Nga ana tjetër, ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se qeveria po punon për aktet nënligjore që lidhen me rregullimin e basteve sportive, duke theksuar se është marrë edhe ekspertizë ndërkombëtare për të garantuar standarde të përshtatshme për bastet online.

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj u ndal edhe te rritja e çmimeve të karburanteve në vend.

Ajo tha se qeveria është duke monitoruar çdo ditë çmimet e naftës dhe produkteve të tjera që hyjnë në vend, si dhe çmimet me të cilat ato dalin në treg.

Sipas saj, Shqipëria ka pasur më herët eksperiencën e krijimit të Bordit të Transparencës për kontrollin e çmimeve të karburanteve, por aktualisht situata nuk kërkon ngritjen e një strukture të tillë.

Në mbledhjen e qeverisë u prezantua edhe strategjia për arsimin për periudhën 2026–2027, e cila sipas ministres së Arsimit Mirela Kumbaro synon rritjen e përdorimit të teknologjisë në shkolla dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.

Strategjia parashikon reforma në shërbimet arsimore dhe forcimin e mekanizmave për kontrollin e cilësisë në universitetet shqiptare, me objektiv që rezultatet të reflektohen deri në vitin 2030.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu