Këshilli i Ministrave ka miratuar mbylljen e veprimtarisë së Akademisë “Nehemiah Gateway”, e cila ka ushtruar aktivitetin e saj në qytetin e Pogradecit, me kërkesë të vetë institucionit.
Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse të ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”, me propozim të ministrit të Arsimit.

Sipas vendimit, Akademia “Nehemiah Gateway” ka disa detyrime ligjore që duhet të përmbushë brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, përfshirë:

  • Dorëzimin e të gjithë dokumentacionit ligjor, administrativ, financiar dhe akademik në strukturat përgjegjëse, në përputhje me ligjin për arkivat;
  • Vendosjen në dispozicion të Ministrisë së Arsimit të çdo informacioni të kërkuar deri në përfundimin e procesit;
  • Heqjen e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor nga objektet e veprimtarisë së personit juridik.

Gjithashtu, vula zyrtare e Akademisë do të asgjësohet sipas procedurave ligjore në fuqi, ndërsa të gjitha shpenzimet për procesin e mbylljes do të përballohen nga fondacioni “Nehemiah Gateway Albania (NG Albania)”, që e përfaqëson këtë institucion arsimor jopublik.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Arsimit, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe vetë fondacioni “Nehemiah Gateway Albania”.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu