
Shtetet e Bashkuara kryesojnë botën për shpenzimet për kafshët shtëpiake, me rreth 280 dollarë për frymë në vit, sipas të dhënave të publikuara nga Statista Market Insights. Pas SHBA-ve renditen Australia me 226 dollarë dhe Zelanda e Re me 196 dollarë për frymë.
Tregu global i produkteve për kafshët shtëpiake pritet të tejkalojë 228 miliardë dollarë këtë vit, ku mbi 70% e kësaj shume përbëhet nga ushqimi për kafshë. Shpenzimet në këtë sektor lidhen ngushtë me të ardhurat personale dhe PBB-në për frymë, megjithatë ka edhe përjashtime.

Në vende si Zelanda e Re, Portugalia, Kili, Franca apo Finlanda, shpenzimet për kafshët janë relativisht të larta krahasuar me nivelin e PBB-së. Në të kundërt, vendet e Gjirit dhe qytet-shtetet aziatike si Hong Kongu dhe Singapori shpenzojnë më pak se sa do të sugjeronte fuqia e tyre ekonomike.
Në Azi, shpenzimet mbeten të ulëta. Mesatarisht, në Kinë shpenzohen vetëm 8.7 dollarë në vit për frymë, në Indonezi 6.7 dollarë, në Tajvan 37.9 dollarë, në Korenë e Jugut 38.8 dollarë dhe në Japoni 58.2 dollarë.
Në Amerikën e Jugut, shpenzimet janë më të larta: 102 dollarë në Kili, 60.3 dollarë në Argjentinë dhe 52.1 dollarë në Brazil, pavarësisht se Argjentina dhe Kina kishin PBB për frymë të ngjashme në vitin 2024.
Europa Lindore gjithashtu paraqet nivele më të ulëta se sa pritej, me Kroacinë dhe Sllovakinë që shpenzojnë mes 33 dhe 47 dollarë për frymë në vit. Ndër vendet me shpenzimet më të ulëta renditen India me vetëm 0.5 dollarë në vit, Pakistani me 0.7 dollarë dhe Sudani me 0.8 dollarë.
Në përgjithësi, vendet me të ardhura të ulëta në Afrikë, Azi dhe Amerikën Qendrore shpenzojnë më pak se 10 dollarë, e në disa raste më pak se 2 dollarë për frymë në vit për produkte që lidhen me kafshët shtëpiake.






