Media britanike Daily Mail ka nxjerrë në pah historinë e dy vëllezërve shqiptarë, Klevisi dhe Artur Hoxhosmani, të cilët janë arrestuar si pjesë e një prej operacioneve më të mëdha të trafikimit të drogës në Evropë. Lajmi referohet nga aia.al marre nga mediat britanike.

 

Vëllezërit Hoxhosmani drejtonin një sërë biznesesh dhe zotëronin prona luksoze në Shqipëri, përfshirë apartamente dhe vila në pjesët më të kërkuara të kryeqytetit dhe në Bregun e Gjelbër, pranë Detit Jon. Njëri prej tyre kishte edhe një jaht në Dubai, i përdorur për festa luksoze me influencer të ftuar.

 

Ata kryenin udhëtime ndërkombëtare luksoze midis Londrës, Dubait, Jugut të Francës dhe Shqipërisë. Megjithatë, jeta e tyre luksoze u ndërpre pas arrestimit për trafikim kokaine me vlerë 335 milionë paund nga Amerika Latine në Britani dhe BE. Hetuesit shqiptarë zbuluan se dy vëllezërit drejtonin një rrjet pan-evropian me të paktën 16 operativë, duke përdorur metoda të sofistikuara për të fshehur drogën në ngarkesa të ligjshme, si kuti bananesh dhe qese me kakao.

 

Hetimet çuan në sekuestrimin e jahtit, flotës së makinave luksoze përfshirë Mercedes-Benz AMG G63, dhe orëve të shtrenjta, përfshirë Rolex dhe Richard Mille.

 

Sipas Daily Mail, vëllezërit filluan aktivitetet e tyre kriminale pasi u vendosën si azilantë në Mbretërinë e Bashkuar, fillimisht në Dorset. Klevisi u quajt nga vendasit si “Ali Baba”, me bashkëpunëtorë që dukeshin si 40 hajdutë. Përveç dënimeve të mëparshme, kishte një hetim të hapur për krime të lidhura me drogën në kohën e arrestimit.

 

Kjo ngjarje ngre shqetësime mbi sistemin britanik të imigracionit dhe mbi trafikimin ndërkufitar të drogës, i cili sipas policisë britanike është më shumë se dyfishuar në një vit. Forcat e ligjit kanë sekuestruar sasi rekord të kokainës dhe heroinës për të dytin vit radhazi.

 

Vëllezërit Hoxhosmani, lindur në Burrel, janë rritur pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri dhe kanë kërkuar një jetë më të mirë në Britani. Burimet thonë se Arturi ka paraqitur kërkesë për azil me datë lindjeje të ndryshme, një metodë e përdorur për të vështirësuar verifikimet nga autoritetet.

 

Deri në vitin 2013, jetonin në Bournemouth, ku Klevisi drejtonte Crystal Hand Carwash dhe një dyqan gomash, duke shijuar një jetë luksoze midis pronave të shumta dhe biznesesh. Historia e tyre hedh dritë mbi mënyrën se si trafikantët shqiptarë mund të integrohen dhe lulëzojnë në tregjet ndërkombëtare të drogës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu