Pas informacioneve se Kryeministri Edi Rama do ta shkarkonte edhe atë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë hapa pas sa i takon delegimit si kryetare të nënkryetares që e ka krah të djathtë, Sara Goxhaj. Pritej që rreth orës 15 sot Rama të shkonte në Bashki dhe të bënte një mbledhje të jashtëzakonshme, por kjo nuk ndodhi ndërsa erdhi ky prapakthim nga Veliaj.
“U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.
E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi.”

 

Por edhe pse Veliaj e mohon tashmë konfirmohet nga shumë burime mediatike se ajo që ndodhi në bashkinë më të madhe në vend 24 orët e fundit ishte një situatë e pazakontë.

Kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë për të zhbërë vendimin e Erion Veliajt, i cili nga burgu firmosi shkarkimin e Anuela Ristanit dhe emërimin e Sara Goxhajt si kryetare e komanduar e Bashkisë së Tiranës.

AIA.AL mësoi më herët nga burime brenda Bashkisë së Tiranës se Rama ka urdhëruar që Protokolli i Bashkisë të mos regjistrojë këtë vendim, duke rikthyer Ristanin në detyrë. Më herët, Veliaj kishte firmosur urdhrin nr. 582 më 18 mars, duke i kaluar kompetencat e drejtimit të institucionit nënkryetares Sara Goxhaj, por ky ndryshim u anulua me ndërhyrjen e kryeministrit. Përplasja ka vajtur deri ne urdhra për të ndaluar hyrjen e besnikëve të Veliaj në godinë nga ku i kishte nxjerrë me ceremoni mbrëmjen e së mërkurrës.

Edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, komentoi sot shkarkimin e Anuela Ristanit nga funksioni i kryetares në detyrë të Bashkisë Tiranë.

Berisha tha se bashkia e Tiranës ndodhet në duart e mafiozëve, teksa i cilësoi lëvizjet e fundit në bashki si betejë mafiozësh.

“Dhe tani beteja mafioze njëri shkon dhe e mbron atë Anuela Ristanin, Veliaj e shkarkon dhe emëron një tjetër. Duhet të mblidhet këshilli bashkiak, por kjo është beteje mafiozësh”, tha Berisha./AIA.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu