Mbrojtjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt i është bashkuar në rolin e konsulentit një avokat nga studio ligjore amerikane Kasowitz Benson Torres.

Këtë të hënë, avokati amerikan Joshua Roberts zhvilloi një vizitë me ambientet e paraburgimit në Durrës, një ditë përpara seancës së Apelit për shqyrtimin e kërkesës së Veliajt për lirim me kusht.

Pas takimit Roberts bëri të ditur se ndodhet në Shqipëri si vëzhgues dhe theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore ndërkombëtare.

“Jam këtu thjesht në rolin e vëzhguesit. Në Amerikë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, akuzat dhe veprat penale ngrihen në bazën e një shkaku të arsyeshëm kur të jetë kryer një krim. Gjithashtu, ndalimi i qytetarëve para gjykimit ndodh vetëm nëse ata paraqesin rrezik arratisjeje ose rrezik për shoqërinë. Ndikimet e caktuara në afat dhe pa akuza penale dhe kriteret për rreziqe për politikanët janë në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe demokracinë në SHBA.”

Roberts bëri të ditur se do t’i ndjekë nga afër argumentet e Apelit për çështjen ndaj kryebashkiakut Veliaj, duke shmangur komentet e mëtejshme për hetimet e nisura nga SPAK.

Studio ligjore Kasowitz në SHBA rezulton se ka shërbyer si përfaqësuese i Presidentit Trump për një gamë të gjerë çështjesh gjyqësore për më shumë se 15 vjet, si në bizneset e tij, gjatë fushatës presidenciale, ashtu dhe në përballjen e akuzave me lidhjen me Rusinë.

Që prej 10 Shkurtit Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në paraburgim, i akuzuar nga SPAK për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.

Sakaq këtë hënë, Gjykata e Posaçme e Apeli rrëzoi kërkesen e vjehrrës së Veliajt, Valbona Xoxa,duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për sekuestrimin e vilës në Qerret. Teksa u shty për në 12 Mars vendimi për ankimin e paraqitur nga Ajola Xoxe për heqjen e sekuestrove të llogarive bankare nga SPAK, për t’iu dhënë kohë palëve që të shprehen.

Tv Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu