
Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shpërndarë një letër të gjatë publike drejtuar qytetarëve dhe mbështetësve të tij, ku rrëfen për herë të parë në detaje përjetimin nga burgu i Durrësit dhe akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK.
Në letrën e titulluar “Miq dhe dashamirës…”, Veliaj shprehet se ndodhet në paraburgim prej gjashtë muajsh, pa asnjë provë konkrete që lidhet me detyrën e tij si kryebashkiak apo më parë si ministër.
“Nuk gjendet asnjë shkelje në 2 vjet ministër dhe 10 vjet kryetar bashkie. As për inceneratorin, as për Teatrin, Pazarin e Ri, Sheshin Skënderbej, Piramidën apo projektet e mëdha të Tiranës”, shkruan ai, duke e cilësuar hetimin ndaj tij si “një thriller sherifash me thashetheme, letra anonime e fletë-rrufe”.
Veliaj shprehet se akuza e fundit për “agjitacion e propagandë brenda burgut” është një shtesë absurde që tregon dobësinë e dosjes fillestare. Ai shpreh shqetësimin për rrjedhjen sistematike të informacionit konfidencial tek disa media dhe për përfshirjen e familjarëve të tij në hetime, ndonëse, siç thotë, ata nuk kanë lidhje me punën e tij.
“Sot vetëm im bir është pa dosje, por kanë edhe 12 vjet kohë t’ia përgatisin…”, ironizon Veliaj.
Letra përmban edhe shtatë pyetje direkte për SPAK-un, që lidhen me origjinën e kallëzimit anonim, konfliktet e mundshme të interesit mes prokurorëve, publikimin e dokumenteve të hetimit në media, dhe pengimin e takimeve me avokatët ndërkombëtarë që përgatisin çështjen në Strasburg.
Në një pjesë tjetër të letrës, ai përshkruan trajtimin e tij gjatë një kontrolli mjekësor si “poshtërues dhe intimiduese”, dhe thotë se i është nënshtruar një “vetting fizik”, i mbikëqyrur nga dhjetëra agjentë të policive të ndryshme.
Veliaj thekson se do të vijojë betejën ligjore brenda dhe jashtë vendit, duke shfaqur bindjen se akuzat do të rrëzohen në gjykatë. Ai i konsideron zhvillimet e fundit si një përpjekje për eliminim politik dhe paralajmëron se do të jetë zë i të gjithë atyre që ndodhen në paraburgim pa vendim gjykate.
“Në burg kam njohur dhjetëra raste padrejtësish. Mijëra mbahen në paraburgim pa dënim, familje që varfërohen çdo ditë nga ‘taksa e paraburgimit’. Do të jem edhe zëri i tyre.”
Në fund, Veliaj shprehet me tone sfiduese ndaj kundërshtarëve dhe medias që e ka sulmuar, ndërsa rithekson angazhimin e tij politik dhe publik.
“Nëse më ndan burgu nga djali im, nuk më ndan nga qyteti im. Do të luftoj për drejtësinë sociale dhe për Tiranën që e dua me gjithë zemër.”
Letra mbyllet me një thirrje për pushime të qeta për qytetarët dhe me një reflektim emocional mbi ndarjen e dhunshme nga familja.