
Erion Veliaj i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kërkesë për të lejuar zhvillimin e një takimi zyrtar me përfaqësuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës. Monitoruesit e KiE-së do të jenë me një mision në Tiranës gjatë vizitës së tyre nga datat 17-19 nëntor 2025.
Në kërkesën e tij, Veliaj thekson se vizita e delegacionit zhvillohet në kuadër të misionit të monitorimit të Kongresit për respektimin e parimeve të demokracisë vendore dhe qeverisjes së mirë në vendet anëtare të Këshillit të Europës.
“Qëllimi i këtij takimi është të sigurojë transparencë, komunikim të drejtpërdrejtë dhe informim të saktë mbi situatën time ligjore, statusin tim institucional si Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe respektimin e të drejtave të mia si i ndaluar. Në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht nenet 6 dhe 8 që garantojnë të drejtën për komunikim dhe përfaqësim, ju lutem të miratoni këtë kërkesë dhe të siguroni kushtet për zhvillimin e takimit gjatë periudhës së vizitës së përmendur”, thekson Veliaj në kërkesën drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve.
Teksa Veliaj ka bërë këtë kërkesë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca paraprake për dosjen ndaj tij ku do të vendoset nëse do të kalojë ose jo për gjykim.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt të këtij viti në kuadër të hetimeve për korrupsioni dhe pastrim parash. Më 23 shtator të këtij viti, Këshilli Bashkiak e shkarkoi me arsyetimin e mungesës në punë, vendim që u konfirmua nga Këshilli i Ministrave më 25 shtator.
Por Veliaj kërkoi shfuqizimin e këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese. Më 3 nëntor, togat e zeza vendosën në favor të Erion Veliajt duke shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij dhe duke e rikthyer në detyrës. Sipas gjykatës, Veliaj nuk ka kryer shkelje të rëndë, pasi mungesa e tij në detyrë lidhet me arrestimin dhe jo me neglizhencë apo abuzim.
Urdhri i tij i parë pas këtij vendimi erdhi më 11 nëntor, për dekorimin e Tiranës për festat e fundvitit.
/tvklan







