
Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, foli sot në Gjykatën Kushtetuese gjatë seancës për padinë e tij kundër vendimit për shkarkim nga detyra. Ai kritikoi procedurën e ndjekur nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, duke theksuar se nuk ka marrë asnjë ftesë ose njoftim zyrtar për mbledhjen ku u votua shkarkimi i tij.
Veliaj e quajti këtë një cinizëm ndaj ligjit, duke theksuar se vendimi nuk mund të merrej nga një person i vetëm, si sekretari i Këshillit, dhe se ai e ka parë mbledhjen nga TV i burgut, duke ironizuar mbi “efikasitetin mbresëlënës” të tetë vendimeve administrative brenda tetë orësh.
Ai shprehu zhgënjimin e tij ndaj këshilltarëve bashkiakë, që sipas tij e kanë tradhtuar: “Fyerja më e madhe e jetës sime është që më tradhtuan ata që më njihnin”, tha Veliaj. Ai shtoi se, nëse do të kishte qenë i pranishëm, mund të kishte ndryshuar vendimin e këshillit.
Në mënyrë ironike dhe për të ilustruar situatën, Veliaj krahasoi përvojën e tij me atë të kryetarit të Bashkisë së Medellin në Kolumbi, që u rrëmbye nga një organizatë terroriste, duke thënë se kjo krijon precedent për çdo lloj padrejtësie ndaj kryetarëve bashkish.
Veliaj theksoi rëndësinë e procedurave ligjore dhe të drejtës për të dëgjuar palët para marrjes së vendimeve që prekin funksionin e kryetarit të bashkisë, duke e cilësuar procesin e shkarkimit si një akt të padrejtë dhe të kryer pa respektimin e ligjit.
 
            
 
	