Duke folur nga burgu për emisionin Review në Euronews Albania, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ai do të votonte Edi Ramën në zgjedhjet e 11 majit dhe do të bënte fushatë kudo që të ishte qoftë edhe nga burgu.

Veliaj u shpreh i bindur për fitoren e Partisë Socialiste dhe ftoi të gjithë mbështetësit e tij që janë të dëshpëruar dhe të zhgënjyer nga burgosja e tij të votojnë për kryeministrin Edi Rama.

Pyetje – Drejtues qarku për shumë vite, kryetar bashkie i zgjedhur 3 herë, figura më e rëndësishme e Partisë Socialiste në Tiranë; duke ditur punën dhe duke njohur mirë partinë, çfarë do të ndodhë në Tiranë në 11 maj dhe si do të ndikojë mungesa juaj?

Në 11 Maj Partia Socialiste do të fitojë bindshëm. Puna në Tiranë flet vetë: pyesni prindërit, që çojnë fëmijët në 45 shkolla të reja moderne, pyesni nënat që çojnë fëmijët në 110 kopshte dhe çerdhe europiane. Pyesni pensionistët dhe studentët që udhëtojnë falas me autobus.

Kush më do vërtet dhe është trishtuar nga kjo padrejtësi, duhet të votojë Edin dhe PS, si e vetmja forcë që di dhe do drejtësinë, di ta krijojë sistemin modern, por edhe ta korrektojë kur del nga shinat.

Pyetje – Për kë do të votojnë mbështetësit tuaj? A do kontribuojnë ata njësoj në zgjedhje fushate, si të ishit ju në kushte normale?

Unë vetë do votoj PS dhe Edin e do bëj fushatë kudo që të jem. Tirana është sot një qytet europian i transformuar si asnjë tjetër. Kush mbështeti Edin në vitet 2000-2011 dhe mua në 2015-2025, mbështet këtë vizion dhe padyshim do punojë për PS më shumë se kurrë më parë, për të plotësuar edhe mungesën time.

Pyetje – Çfarë do t’ju thonit socialistëve, 42% e të cilëve mendojnë se arrestimi juaj do të ketë efekt negativ në rezultatet e PS në zgjedhje?

Socialistëve do ju thoja “kokën lart e të jeni krenarë për punën tonë”! Pafajësinë time do ta provoj për vete, por edhe për të gjithë ata që zelli i ndërhyrjes brutalisht në fushatë iu ka dhënë iluzionin e fitores pa meritë! Ndaj, kurajo dhe përvishni mëngët për Edin dhe PS në fushatën më të bukur që kemi bërë ndonjëherë!

Pyetje – A keni komunikim me kryetarin e partisë tuaj, z. Rama?

Jo, jam në izolim total. Ols hakmarrësi nuk ka miratuar prej dy javësh asnjë takim – as politikanë të huaj, drejtues të kulteve apo shokë e miq. Kjo është një tjetër provë se ky kurth i kurdisur keq, me anonime, veting, shpallje fajtor pa akuzë dhe izolim total është një njollë jo e vogël e një reforme, që e mbështetën të gjithë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu