Prizren – Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, ku një paciente 12-vjeçare ka ndërruar jetë në repartin e Pediatrisë.

Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, e mitura ishte pranuar për trajtim më 17 dhjetor 2025, rreth orës 23:45, ku iu nënshtrua ekzaminimeve të plota klinike dhe laboratorike, si dhe konsultave me mjekë specialistë, në përputhje me protokollet mjekësore.

Më 18 dhjetor, rreth orës 14:55, gjendja shëndetësore e pacientes u përkeqësua ndjeshëm. Mjeku pediatër ka thirrur për konsultë kirurgun dhe anesteziologun, ndërsa janë ndërmarrë të gjitha ndërhyrjet e nevojshme mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve, pacientja ka ndërruar jetë në orën 15:55.

“Pas konstatimit të vdekjes, familja është njoftuar menjëherë. Rasti është raportuar te Policia dhe trupi i pajetë është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore,” thuhet në komunikatën e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit.

Autoritetet kanë nisur procedurat për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu