
Një nga dy anëtarët e Gardës Kombëtare që u qëlluan me armë zjarri në qendër të Washington DC ka ndërruar jetë. Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi mbrëmjen e së enjtes se Sarah Beckstrom, 20 vjeçe, nuk i ka mbijetuar plagëve të marra.
Anëtari i dytë i Gardës, Andrew Wolfe, 24 vjeç, po “lufton për jetën”, tha Trump. Të dy u qëlluan nga afër të mërkurën pasdite pranë Farragut Square, vetëm pak blloqe larg Shtëpisë së Bardhë. Policia arrestoi menjëherë të dyshuarin, Rahmanullah Lakanwal, 29 vjeç, shtetas afgan.
Ngjarja ka nxitur një seri masash të ashpra të administratës Trump mbi emigracionin, përfshirë pezullimin e menjëhershëm të të gjitha kërkesave të emigracionit nga Afganistani dhe rishikimin e kartave të gjelbra për qytetarët e 19 vendeve.
Trump: “Një akt terrori”
Gjatë komunikimit të tij të Ditës së Falënderimeve me trupat amerikane, Trump njoftoi vdekjen e Beckstrom, duke e përshkruar atë si “të respektuar, të re dhe të mrekullueshme”. Ai bisedoi më pas me prindërit e saj, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Administrata ka cilësuar incidentin një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare. Para se Beckstrom të humbiste jetën, Prokurorja e Përgjithshme Jeanine Pirro deklaroi se nëse viktimat nuk do të mbijetonin, akuza ndaj të dyshuarit do të përshkallëzohej në “vrasje të shkallës së parë”.
Ngjarja dhe sfondi i autorit të dyshuar
Dy gardistët ndodheshin në patrullë me dukshmëri të lartë në një zonë të frekuentuar nga punonjës zyrash. Më shumë se 2,000 trupa janë dislokuar në kryeqytet që nga gushti, si pjesë e operacionit të Trump për të frenuar kriminalitetin që ai e konsideron “jashtë kontrollit” në disa qytete amerikane.
Lakanwal, i plagosur gjatë arrestimit, mbërriti në SHBA në vitin 2021 në kuadër të programit Operation Allies Welcome, i krijuar për afganët që kishin bashkëpunuar me forcat amerikane pas tërheqjes nga Afganistani.
Sipas ish-komandantëve të tij, ai kishte punuar si pjesë e Kandahar Strike Force, një njësi e njohur si “Scorpion Forces”, fillimisht nën drejtimin e CIA-s dhe më vonë të Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë së Afganistanit. Ai shërbente si specialist i pajisjeve GPS.
FBI konfirmoi se i dyshuari kishte “marrëdhënie me forcat partnere amerikane” në Afganistan para se të zhvendosej në SHBA. Lakanwal kishte aplikuar për azil në vitin 2024 dhe kishte marrë miratimin këtë vit.
Përshkallëzim i politikave të emigracionit
Pas sulmit, Shtetet e Bashkuara njoftuan:
- pezullimin e menjëhershëm të të gjitha kërkesave të emigracionit nga afganët,
- një rishikim të thelluar të të gjitha green card-eve nga “vendët e shqetësimit”,
- dhe një deklaratë të Trump se SHBA do të “pezullojë përhershëm migracionin nga të gjitha vendet e botës së tretë”.
Lista paraprake e vendeve që u referohet zyrtarëve përfshin Afganistanin, Kubën, Haitin, Iranin, Somalinë dhe Venezuelën.
Homazhe për viktimën
Beckstrom kishte hyrë në Gardën Kombëtare më 26 qershor 2023 dhe shërbente në Kompaninë e Policisë Ushtarake 863 të Brigadës së 111-të Inxhinierike të Virginisë Perëndimore. Ajo kishte vullnetarisht zgjedhur të punonte në Washington gjatë festës së Falënderimeve.
Senatori Jim Justice shprehu “tronditjen e thellë” për humbjen e saj dhe u bëri thirrje amerikanëve të luten për shërimin e Andrew Wolfe.







