
Policia e Durrësit ka arrestuar Luis Xhumarin, operator turistik, për akuzën “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”, pas incidentit tragjik që ndodhi në det me dy pushues anglezë, ku humbi jetën drejtuesi 34-vjeçar i një Jet Ski.
Ngjarja ndodhi në thellësi të detit, ndërsa ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë i vdekjes së viktimës. Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë nëse vdekja ka ardhur si pasojë e mbytjes apo e ndonjë problemi shëndetësor.
Nga verifikimet e policisë, rezulton se viktima nuk posedonte lejen për drejtimin e mjetit lundrues, ndërkohë që operatori turistik që ia kishte dhënë me qira mjetin, është konstatuar në shkelje të rregullores. Bazuar në rregullore, motorët e ujit mund të jepen me qira vetëm kur drejtuesi është i pajisur me leje përkatëse.
Në rast se pushuesi nuk e zotëron këtë leje, drejtimi i mjetit duhet të bëhet nga një punonjës i operatorit. Ngjarja tragjike e së dielës kthen në vëmendje sërish sigurinë në plazhe edhe këtë sezon turistik.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin L. Xh., 56 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, përballë shkëmbit i Kavajës, rezultoi se shtetasi L. Xh., iu ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, shtetasve S. O. dhe V. B., të cilët nuk kanë qenë të pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh lundruese dhe nuk i ka pajisur me skafandra.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit R. M., 61 vjeç, banues në Tiranë dhe J. H., 31 vjeç, banues në fshatin Hamallaj, pasi u konstatuan duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.