Gjykata e Sarandës ka kthyer për hetime dosjen penale ndaj Saimir Kushovës, i cili akuzohet për shkelje të rregullave të sigurisë në punë që solli si pasojë vdekjen e shtetases angleze Rebecca Gannon.

Rasti i humbjes së jetës së Rebecca Gannon u trajtua në emisionin “Në shënjestër” të gazetares Klodiana Lala, ku u vu në dukje pikërisht tema e hetimeve të dobëta dhe të paplota.

Gjykata ka urdhëruar prokurorinë të plotësojë hetimet për Kushovën, për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

Saimir Kushova, një zhytës profesionist i cili ndodhet i burgosur në Norvegji për trafik droge por në Sarandë po hetohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” pas vdekjes së një 29-vjeçareje angleze gjatë zhytjes me ekspeditën e tij.

Saimir Kushova, prind i tre fëmijëve, drejtonte në Sarandë ekspeditën “Saranda Diving Center”, një ekspeditë private zhytësish, e angazhuar edhe në nisma sociale në qytet, kryesisht për pastrimin e detit.

Në 19 shtator 2022 në Gjirin e Sarandës, ndërroi jetë teksa zhytej me ekspeditën e Kushovës, 29-vjeçarja britanike Rebecca Gannon. Për ngjarjen Saimir Kushova u arrestua por u la i lirë gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë.

Ndaj tij u caktua masa e sigurisë “garancia pasurore në vlerën 1.5 milionë lekë të reja” dhe “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, çdo javë, ditën e hënë ora 13:00”. Por disa kohë më pas, 47-vjeçari filloi mos ta zbatonte masën e sigurisë çka detyroi Prokuroren Alba Dhima të kërkonte konfiskimin e shumës 1.5 milionë lekë të reja dhe kalimin e saj në favor të shtetit ndërsa ditën e djeshme gjyqtari Fatmir Ndreu e deklaroi të ikur Saimir Kushovën në një seancë të posaçme./panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu