Pas vdekjes së kreut të Kishës Katolike Romake, Papa Françesku mëngjesin e sotëm, liderë të shumtë botëror dërguan mesazhe ngushëllimi. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në telegramin e saj të ngushëllimit theksoi se, “Papa frymëzoi miliona njerëz, shumë përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë e tij kaq të pastër për më pak fat”.
Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi që flamujt të ulen në gjysmë shtize si “shenjë respekti për kujtimin” e Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta të hënën.

Urdhri zbatohet për “të gjitha ndërtesat dhe terrenet publike, në të gjitha postet ushtarake dhe stacionet detare, dhe në të gjitha anijet detare të Qeverisë Federale në Distriktin e Columbias dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Territoret dhe zotërimet e saj deri në perëndimin e diellit, në ditën e varrimit”, shkroi Trump në shpalljen zyrtare.

Ai gjithashtu përfshiu “ambasadat e Shteteve të Bashkuara, legatat, zyrat konsullore dhe objektet e tjera jashtë vendit, duke përfshirë të gjitha objektet ushtarake dhe anijet e stacionet detare.

Në oborrin jugor të Shtëpisë së Bardhë, ku po zhvillohej aktiviteti tradicional “Easter Egg Roll”, flamuri amerikan në majë të Shtëpisë së Bardhë ishte ulur në gjysmë shtize të hënën në mëngjes.

Shtëpia e Bardhë publikoi një reagim në llogarinë zyrtare në platformën X, ku thuhet “U prefsh në paqe Papa Françesku”.

Ndërkaq, një reagim kishte edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance.

JD Vance, zëvendëskryeministri amerikan

“Zemra ime është me miliona të krishterë në mbarë botën që e donin atë.”

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni tha se lajmi për vdekjen e Papa Françeskut ishte një lajm shumë i trishtë, pasi po i jepet lamtumira një njeriu të madh.

Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian

“Sot bota mban zi për vdekjes e Papa Françeskut. Ai frymëzoi miliona njerëz, përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë kaq të pastër. Ngushëllimet e mia janë me të gjithë ata që e ndjenë këtë humbje kaq të thellë. Le të gjejmë ngushëllim në idenë se trashëgimia e Papa Françeskut do të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve drejt një bote më të drejtë, paqësore dhe më të dhembshur”.

Giorgia Meloni, Kryeministri i Italisë

“Na trishton thellësisht, pasi po i themi lamtumirën një njeriu të madh. Kam pasur privilegjin që të shijoj miqësinë, këshillat dhe mësimet e tij, të cilat nuk më kanë dështuar kurrë. Por, ne e dimë që tani ai është në shtëpinë e Zotit”.

Presidenti i Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva ka nderuar Papa Françeskun dhe ka shpallur një periudhë zie 7-ditore në Brazil.

“Njerëzimi humb sot një zë respekti dhe mirëseardhjeje për të tjerët. Zoti i ngushëlloftë ata që sot, kudo në botë, vuajnë dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe. Në kujtim të tij dhe në nderim të veprës së tij, unë dekretoj një zie shtatëditore në Brazil.” tha Lula në një deklaratë.

Në mesazh, Lula vlerësoi thjeshtësinë, guximin dhe ndjeshmërinë e tij. Ai nënvizoi trajektoren e Papës, duke përmendur se Françesku solli çështje të tilla si ndryshimi i klimës në Vatikan dhe kritikoi fuqishëm modelet ekonomike “që e çuan njerëzimin të prodhonte kaq shumë padrejtësi”.

Ndërkohë, edhe qeveria argjentinase është gati të shpallë shtatë ditë zie kombëtare për vdekjen e Papa Françeskut, argjentinasi i parë që drejton Kishën Katolike.

Zëdhënësi presidencial, Manuel Adorni, shkroi këtë në X:

‘Papa Françesku, Jorge Bergoglio, ka ndërruar jetë. Udhëheqësi shpirtëror dhe udhërrëfyes i miliona burrave dhe grave.

Presidenti i kombit do të dekretojë shtatë ditë zie kombëtare për vdekjen e Atit të Shenjtë’, tha zëdhënësi.

Papa Françesku do të varroset jashtë Vatikanit, në Bazilikën e Shën Marisë Major, një nga katër bazilikat kryesore papale në Romë, pasi para ndarjes nga jeta, ai ka kërkuar që trupi i tij të mos vendoset në platformën e ngritur në katafalkë, në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Pasaradhësi i tij zgjidhet të paktën 15 ditë më vonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu