Nga Ben Andoni

Vdekja e ish-kryeministrit shqiptar Fatos Nano ka sjellë në një linjë të gjatë homazhesh njerëz pa fund të thjeshtë, kolegë, të afërm, politikanë të dy krahëve dhe diplomatë. Në një linjë protokolli të kuruar, shteti shqiptar, sidomos Ekzekutivi i z. Rama dhe njerëzit përgjegjës, kanë treguar në nderimin funebër të këtij lloji, ashtu si edhe në samite ndërkombëtare shumë klas në organizime. Por, kur vjen puna për momentin e vendprehjes së përjetshme, ku trashëgimia e shtetit është e shtresëzuar dhe mbart organizime të strukturave në kohë të ndryshme, atëherë puna çalon. Personalitetet shqiptare, sidomos ato pas viteve ’90, janë të shpërndarë në qytete dhe parcela të ndryshme në hapësira funebre që duhet thënë se në vendin tonë nuk i shkojnë si duhet asaj që ne mendojmë dhe dëshirojmë për respektin publik. Është momenti për një Panteon, por më shumë një hapësirë dedikuar individëve të shquar dhe, kjo kërkesë e stërpërsëritur, gjithnjë ngre krye në momentet kur kemi vdekje të personaliteteve të fushave të ndryshme dhe ku pyetja e natyrshme që lind është: Ku do të prehet?!

Një Panteon apo më saktë “vend i nderuar” përbën një hapësirë të spikatur në një varrezë civile, e cila jo thjesht ofron hapësirën e nevojshme dhe të respektuar për të ndjerin, por krijon një parametër ngushëllimi dhe qetësie për të afërmit dhe miqtë. Ai vend shërben edhe si një pjesë që mund të ndihmojë trashëgiminë historike dhe kulturore, por si edhe një vend evokimi, ku bashkëkohësit shikojnë dhe përsiasin për destinin natyral të çdo individi. Nga ana tjetër, mirëmbajtja e kësaj hapësire prej bashkëkohësve, në kohë, pushtete dhe periudha të ndryshme tregon cilësinë e aspektit moral të një shoqërie dhe respektin ndaj historisë së saj. Dhe, më shumë akoma, shërbejnë dhe si një muze i hapur, ku arkitektura, historia dhe sublimiteti të mësojnë dhe të grishin për të gjykuar dhe medituar.

Shqipëria e ka një të tillë por që është jashtëzakonisht i pa kuruar dhe tejet konfuz në kodrat e Liqenit Artificial, ku në pak metra katror prehen vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Mit’hat Frashëri, ushtarët britanikë të rënë në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe pak më tutje, armiqtë e tyre të betuar ushtarët e rënë në Shqipëri të Wermaht-it. Paradokse të imagjinueshme, por që i bashkon një e vërtetë e madhe: Destini është natyror, një dhe i vetëm dhe quhet “Vdekje”.

Mirëkuptimi për një Panteon i të gjithë figurave në vend, si edhe caktimi i një zone specifike, e cila është e respektuar dhe e mirëmbajtur, jo thjesht i jep dinjitet kujtimit të të ndjerit por përbën edhe një aspekt themelor të shumë traditave kulturore dhe fetare. Deri më tani, ne e kemi bërë deridiku me Varrezat e monarkëve dhe të Dëshmorëve, por jo personaliteteve që kanë përjetuar me ne dhe kontributi i të cilëve është i prekshëm dhe ka ndihur aq shumë mbi shoqërinë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu