Elbasan, 2 korrik 2025 – Zjarri në landfillin e Elbasanit vijon të jetë aktiv edhe këtë mëngjes, duke shkaktuar re të dendura tymi që kanë mbuluar një pjesë të qytetit dhe zonat përreth.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një shtresë të trashë tymi që përhapet në ajër, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një informacion zyrtar mbi situatën apo përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Banorët raportojnë ndotje të madhe të ajrit dhe erë të rëndë djegieje, ndërkohë që shqetësimet për ndikimin në shëndetin publik janë në rritje. Ekspertët mjedisorë paralajmërojnë se djegia e mbetjeve urbane dhe plastike mund të çlirojë substanca toksike të rrezikshme për frymëmarrjen.

Ende nuk dihet nëse zjarri është i qëllimshëm apo pasojë e temperaturave të larta dhe reaksioneve brenda masës së mbeturinave. Kjo nuk është hera e parë që në landfillin e Elbasanit shpërthen zjarr – ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe në të kaluarën, shpesh pa ndonjë përgjegjësi konkrete.

Qytetarët dhe grupet mjedisore po kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet vendore dhe qendrore, si dhe një zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve urbane.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu