
Prokuroria dhe Policia e Tiranës kanë nisur hetimet pas denoncimeve për një rast të rëndë të dyshuar si “varr masiv qensh” në zonën e Lanabregasit, në Dajt.
Ngjarja u bë publike fillimisht nga një denoncim mediatik, ndërsa qytetari Indrit Osmani ka depozituar edhe kallëzim në polici për vrasjen e qenve endacakë. Pas kësaj, efektivët e Komisariatit Nr.4 janë drejtuar drejt Qendrës Veterinare të Bashkisë Tiranë në zonën e Tufinës për të kryer verifikimet.
Fillimisht, policia ka kërkuar pamjet e kamerave të sigurisë, por sipas punonjësve të qendrës, ato nuk kanë qenë funksionale. Ky fakt ka ngritur dyshime dhe ka shtuar presionin nga banorët dhe aktivistët për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pas disa orësh, policia është rikthyer në qendër, ku ka shoqëruar disa punonjës për t’i marrë në pyetje në lidhje me rastin.
Sipas burimeve jo zyrtare, brenda ambienteve të qendrës dyshohet se janë gjetur edhe qen të tjerë të pajetë, të mbajtur në qese plastike dhe frigorifer, çka rëndon më tej dyshimet për një skandal të mundshëm me trajtimin e kafshëve.
Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një reagim zyrtar për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësit e mundshëm të kësaj ngjarjeje që ka shkaktuar reagim të fortë publik.




