Një efekt i papritur “rinor” nga vaksina kundër herpes zoster  është evidentuar nga një studim i ri shkencor amerikan, i cili tregon se personat e vaksinuar plaken biologjikisht më ngadalë krahasuar me ata që nuk e kanë marrë vaksinën.

Studimi është realizuar nga University of Southern California – Leonard Davis School of Gerontology dhe është publikuar në revistën shkencore Journals of Gerontology, Series A: Biological Sciences and Medical Sciences, me mbështetjen e National Institute on Aging (NIA) të National Institutes of Health (NIH).

Duke analizuar të dhënat e U.S. Health and Retirement Study, një studim kombëtar i financuar nga NIA, studiuesit kanë shqyrtuar mbi 3.800 persona mbi moshën 70 vjeç, të cilët ishin gjallë në vitin 2016. Qëllimi ishte të kuptohej se si vaksinimi kundër herpes zoster ndikon në tregues të ndryshëm të plakjes biologjike.

Rezultati kryesor: personat që kishin marrë vaksinën kundër herpes zoster shfaqnin, mesatarisht, një proces më të ngadaltë të plakjes biologjike, edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë si gjendja shëndetësore, statusi socio-ekonomik dhe karakteristikat demografike.

Sipas autorëve, ky “efekt rinor” nuk lidhet vetëm me mbrojtjen nga sëmundja, por mund të ketë ndikim më të gjerë në shëndetin afatgjatë të të moshuarve.

Çfarë është herpes zoster?

Herpes zoster është një infeksion viral që shkaktohet nga riaktivizimi i virusit të variçelës (Varicella zoster), i cili mbetet i fjetur në organizëm pas kalimit të lisë së dhenve. Sëmundja shfaqet me skuqje të dhimbshme dhe flluska në lëkurë.

Rreziku për t’u prekur rritet ndjeshëm pas moshës 50 vjeç, veçanërisht te personat me sistem imunitar të dobësuar, edhe pse mund të shfaqet edhe në moshë më të re.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu