
Ministria e të Drejtave Sociale në Spanjë ka kërkuar që Prokuroria të nisë një hetim ndaj futbollistit të Barcelonës, Lamine Yamal, pas raportimeve se ai punësoi persona me xhuxhizëm si argëtues në festën e tij të 18-vjetorit.
Festa luksoze u mbajt të dielën në një rezidencë të marrë me qira në Olivella, 50 km nga Barcelona, me pjesëmarrjen e influencerëve, youtuber-ëve dhe disa bashkëlojtarëve të Barcelonës.
Sipas Shoqatës për Personat me Akondroplazi dhe Displazi të tjera Skeletore në Spanjë (ADEE), kjo është një praktikë “e papranueshme në shekullin XXI”, që forcon stereotipet dhe diskriminon personat me aftësi të kufizuara.
“Veprime të tilla nuk shkelin vetëm ligjin në fuqi, por edhe vlerat etike të një shoqërie të barabartë dhe me respekt ndaj dinjitetit njerëzor,” thuhet në reagimin e ADEE. Ata kanë dorëzuar një padi ligjore, duke përmendur një dispozitë të ligjit për personat me aftësi të kufizuara që ndalon shfaqjet apo aktivitetet ku përdorimi i tyre bëhet për tallje apo denigrim publik.
Ministria konfirmoi për BBC se është kërkuar zyrtarisht hetimi për të parë nëse është shkelur ndonjë e drejtë ligjore.
Nga ana tjetër, një nga artistët që mori pjesë në festë, në një intervistë për radion spanjolle RAC1, mbrojti Yamal, duke thënë se “askush nuk na ofendoi” dhe se “jemi profesionistë të ligjshëm që bëjmë punën tonë”.
“Ne vallëzojmë, shpërndajmë pije, bëjmë magji. Ishte një shfaqje njëorëshe dhe më pas u bashkuam me festën. Nuk jemi ‘majmunë cirku’, ne e dimë kufirin tonë.”
Barcelona, e kontaktuar nga BBC, u shpreh se nuk komenton çështje të karakterit privat, por shtoi se do të rishikojë pozicionin e saj kur të ketë informacione të qarta dhe zyrtare.