Gjenerata Z dhe mijëvjeçarët po rikthehen në pozicionin e foshnjave për të shpëtuar nga dhimbja e “qafës prej teknologjisë”

Të rinjtë që kalojnë orë të tëra përkulur mbi telefonin apo laptopin e tyre, tashmë po gjejnë një mënyrë të pazakontë për të përmirësuar qëndrimin dhe për të lehtësuar dhimbjet e qafës: “tummy time” – një praktikë që deri tani ishte ekskluzivitet i foshnjave.

Kjo mënyrë konsiston në qëndrimin mbi bark, me pajisjen digjitale përballë syve. Influencuesja Bek, në një video virale në TikTok, demonstron sesi, në vend që të rrijë ulur dhe të përkulet mbi telefon, thjesht shtrihet mbi bark dhe vazhdon të navigojë në rrjetet sociale.

“Po keni dhimbje qafe nga pozicioni i keq i kokës? Uleni në bark!” – thotë ajo me ironi, duke e përmbyllur videon me një “goo-goo, gaga” fëmijëror.

Por, përtej pamjes qesharake, efekti është serioz: kjo praktikë ndihmon në zgjatjen pasive të shtyllës kurrizore, përmirëson qëndrimin, forcon muskujt e qafës dhe ndihmon madje edhe në tretje, sipas instruktorëve të yogës dhe fizioterapistëve.

Sipas të dhënave të fundit të Mayo Clinic, “tech neck” – dhimbja kronike e qafës dhe shpatullave nga përdorimi i gjatë i pajisjeve teknologjike – është një nga arsyet kryesore të paaftësisë tek të rinjtë, me mbi 30% të të rriturve që raportojnë simptoma të përhershme.

Në vitin 2024, plot 24% e punonjësve të grupmoshës 16-26 vjeç kanë munguar në punë për shkak të këtyre dhimbjeve. Dhe për të shmangur një kurriz të përkulur si ai i Quasimodo-s, të rinjtë po i rikthehen kësaj lëvizjeje të thjeshtë por efektive.

“Tummy time” është përdorur prej kohësh për foshnjat që të zhvillojnë muskujt e qafës dhe të fillojnë të lëvizin më lirshëm. Tani, edhe të rriturit po përfitojnë nga kjo praktikë.

“10 minuta në ditë ndihmojnë në mobilitetin e shtyllës kurrizore dhe ulin efektet negative të qëndrimit të gjatë ulur,” thotë instruktorja e yogës, Sam Rus.

Video me miliona shikime në TikTok dhe rrëfime nga përdorues të ndryshëm tregojnë se “tummy time” nuk është thjesht një modë kalimtare – por një mënyrë reale për të ndihmuar trupin në epokën e ekranit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu