Katër pengjet që u rrëmbyen me 7 tetor nga organizata terroriste Hamas janë shpëtuar nga forcat izraelite gjatë një bastisje në qendër të Gazës. Bëhet fjalë për Noa Argamani, 25 vjeç, Almog Meir Jan, 21 vjeç, Andri Kozlov, 27 vjeç dhe Shlomi Ziv, 40 vjeç, thanë Forcat Mbrojtëse të Izraelit.
Ata u shpëtuan në një operacion të përbashkët gjatë ditës, të kryer me Autoritetin e Sigurimeve të Izraelit dhe Policinë e Izraelit, nga dy vendndodhje të veçanta në Nuseirat, Gaza qendrore.
Pengjet janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë dërguar në Qendrën Mjekësore “Sheba” Tel-HaShomer për ekzaminime të mëtejshme mjekësore, tha IDF.
Forcat e sigurisë do të vazhdojnë të bëjnë çdo përpjekje për të liruar të gjitha pengjet.
Argamani, një shtetase izraelite me origjinë kineze, u rrëmbye gjithashtu nga festivali. Videoja, e verifikuar nga babai i saj Yaakov Argamani për Channel 12 të Izraelit tregon 25-vjeçaren në anën e pasme të një motoçiklete duke bërtitur: “Mos më vrit!”
Ministria e shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi ka deklaruar se dhjetëra njerëz, përfshirë fëmijë, janë vrarë dhe plagosur në operacion.
Rikujtojmë se 4 ditë më parë, inteligjenca ushtarake e Izraelit konfirmoi vdekjen e katër pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor.
Sipas zëdhënësit të ushtrisë izraelite Daniel Hagari, të katër pengjet u vranë teksa ishin së bashku, gjatë një operacioni izraelit në Khan Youni, ndërsa trupat janë ende në duart e militantëve.
Izraeli beson se nga më shumë se 250 personat e rrëmbyer më 7 tetor, rreth 120 mbeten në Gaza.
Shumë prej tyre janë deklaruar të vdekur nga autoritetet izraelite.
/abcnews.al