
Zgjedhja e ushqimit të duhur për qentë dhe macet nuk është vetëm çështje preference, por një faktor kyç për shëndetin dhe mirëqenien e tyre afatgjatë. Ekspertët paralajmërojnë se etiketat e ushqimeve për kafshët shtëpiake shpesh mund të jenë të paqarta ose edhe mashtruese, nëse nuk lexohen dhe interpretohen saktë.
Sipas veterineres nutricioniste Alice Chierichetti, paketimi i ushqimit për kafshët është një lloj “karte identiteti” e produktit, që tregon cilësinë, origjinën dhe ekuilibrin ushqyes. Ajo thekson se pronarët duhet të mësojnë të lexojnë me kujdes përbërësit, vlerat ushqyese dhe praninë e aditivëve, për të shmangur zgjedhje që mund të dëmtojnë shëndetin e kafshëve.
Çfarë duhet kontrolluar fillimisht në etiketë
Ekspertët këshillojnë që me një shikim të parë të vlerësohen disa elementë kyç:
- Nëse mishi ose peshku figuron si përbërësi i parë
- Qartësia në deklarimin e lëndëve të para
- Detajimi i vlerave ushqyese
- Prania e integratorëve natyralë
- Udhëzimet e sakta për racionin ditor, sipas peshës, moshës dhe stilit të jetesës së kafshës
Gabimet më të shpeshta që bëhen
Një nga keqkuptimet më të zakonshme lidhet me termin “mish i freskët”. Edhe pse duket tregues cilësie, mishi i freskët përmban deri në 70% ujë dhe pas gatimit humbet ndjeshëm peshë, duke mos qenë më përbërësi kryesor real në produktin final.
Po ashtu, një përmbajtje e lartë proteinash nuk do të thotë domosdoshmërisht ushqim më i mirë. Proteinat bimore (soja, bizele, oriz) janë më pak të tretshme dhe jo të plota për qentë dhe macet, të cilët janë natyrshëm mishngrënës.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe të ashtuquajturave “formulat e ndara” («formule split»). Kur etiketa përmban shumë përbërës të ngjashëm (p.sh. oriz, niseshte orizi, krunde orizi), ka shumë gjasa që të jetë përdorur teknika e “ndarjes”, pra një mënyrë për të ulur pozicionin e dukshëm të një përbërësi që është në sasi të madhe, duke e ndarë atë në nënkategori.
Kështu, etiketa mund të duket sikur tregon një produkt më të pasur me proteina (me mishin në vend të parë), ndërsa në realitet amidonet janë shumë më të pranishme sesa proteinat shtazore.
Ushqimet monoproteike: jo gjithmonë zgjidhja ideale
Termi “monoproteik” shpesh ngatërrohet me “hipoalergjik”. Në fakt, ai tregon vetëm praninë e një burimi të vetëm proteine shtazore dhe nuk garanton domosdoshmërisht cilësi të lartë apo përshtatshmëri për të gjitha kafshët. Përdorimi pa kriter i dietave monoproteike mund të çojë në varfërim të mikrobiotës intestinale dhe në çekuilibra ushqyes.
Mesazhi i specialistëve
Leximi i kujdesshëm i etiketave dhe këshillimi me veterinerin mbeten hapat më të sigurt për të garantuar një dietë të shëndetshme dhe të balancuar për kafshët shtëpiake. Zgjedhjet e gabuara ushqimore mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin e tyre, ndaj informimi është çelësi kryesor./Corriere.it



