Aleatët e Ursula von der Leyen në Parlamentin Evropian kanë deklaruar se do ta mbështesin atë në dy votimet e ardhshme për mocionin e mosbesimit lidhur me presidencën e saj në Komisionin Evropian, që pritet të zhvillohen javën e ardhshme.

Grupi liberal Renew Europe dhe socialdemokratët e majtë-qendrorë (S&D) konfirmuan se nuk do të mbështesin propozimet e mocionit, as nuk do t’i përdorin ato për të ushtruar presion ndaj Von der Leyen në mënyrë që të arrijnë lëshime politike.

Duhet theksuar se këto mocione janë paraqitur nga e majta radikale dhe grupimi ekstremist “Patriotët për Evropën”.

Në muajin korrik Von der Leyen u përball për herë të parë që nga viti 2014 me një mocion mosbesimi si presidente e Komisionit Evropian.

Mbështetja e këtyre dy grupeve ndaj presidentes, siç vëren dhe Politico, tregon një qëndrim më pozitiv ndaj saj në krahasim me votimin e kaluar, kur të dy grupet ushtronin presion deri në momentin e fundit në shpresë për të fituar lëshime politike.

Megjithatë, për shkak të pakënaqësisë së gjerë ndaj presidentes, nuk përjashtohet që në të ardhmen këto grupe mund ta tërheqin mbështetjen e tyre. Disa eurodeputetë liberalë kanë deklaruar se grupi i tyre duhet të mbetet i hapur ndaj mundësisë që në të ardhmen të mbështesë një mocion mosbesimi ndaj Von der Leyen, nëse ajo nuk plotëson kërkesat e tyre.

Sipas Politico, dy grupet janë të pakënaqura me negociatat që presidentja ka bërë për marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe grupin Mercosur të vendeve të Amerikës Latine. Një tjetër pikë kontesti janë lëshimet në politikën e gjelbër dhe fakti që Von der Leyen ka adoptuar vetëm së fundmi një qëndrim më të fortë ndaj Izraelit për shkak të konfliktit në Gazë.

Ajo akuzohet gjithashtu se promovon prioritetet e saj personale me vendet anëtare të BE-së dhe injoron vullnetin e Parlamentit Evropian.

Megjithatë, të gjithë bien dakord se rrëzimi i Von der Leyen do të shkaktonte një krizë të paprecedentë në BE, pa asnjë garanci që pasardhësi i saj do të ishte më efektiv për çështjet që ata mbrojnë./panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu